433 kadetë dhanë betimin e tyre për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës gjatë së hënës. Gjenerata e 57-të e të diplomuarve u shpreh e emocionuar dhe krenare që do të shërbejë për këtë institucion. Presidentja Vjosa Osmani gjatë ceremonisë theksoi se mbrojtja e kufijve duhet të jetë obligim i përhershëm, duke theksuar se policia ka dhënë maksimumin edhe në veri të vendit.
53 gra e 380 burra i janë bashkuar Policisë së Kosovës të hënën gjatë diplomimit të gjeneratës së 57-të të këtij institucioni.
Kadetët, që tashmë kanë dhënë betimin e tyre për të qenë pjesë e Policisë, thanë se emocionet që kanë, janë të jashtëzakonshme.
“Ndjenja është e jashtëzakonshme dhe emocionet janë shumë të mëdha edhe inkurajoj të gjitha gjeneratat e reja që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës kurdo herë që hapet konkursi”, ka deklaruar Rrustem Haxhiu, polic i diplomuar.
Ndërsa policja tjetër Liridona Binakaj, ka theksuar se kanë kaluar sfida të ndryshme gjatë periudhës së trajnimit dhe se kanë arritur që me sukses ta realizojmë e njëherit ta kurorëzojmë edhe këtë ditë, sipas saj të rëndësishme.
Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve pjesëmarrës ishin edhe krerët shtetërorë, të cilët u shprehën se prioritet i tyre është mbrojtja dhe siguria e vendit.
“Policia buron nga qytetarët dhe gjithnjë është në shërbim të qytetarëve, ju keni zgjedhur një profesion që kërkon guxim, disiplinë, vullnet dhe përkushtim për rend e ligj”, ka theksuar presidentja Vjosa Osmani.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka dekaruar se për Qeverinë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet. “Vetëm gjatë vitit të kaluar u realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës”, është shprehur Kurti.
Edhe
Diplomojnë policët e rinj të Kosovës
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se policët e rinj po i bashkohen Policisë së Kosovës në kohën më të nevojshme për vendin. “Jam besim plot se do të jeni nderi dhe krenaria e brezave dhe gjeneratave që do të ju pasojnë”, ka deklaruar ai.
E ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, tha se me kapacitetet që kanë, janë të gatshëm të përballen me çdo gjë, në qëllim të ruajtjes së sigurisë në vend.
Në mesin e të diplomuarve janë 17 serbë, pesë boshnjakë, dy goranë, një turk dhe një rom.