17 të rinj amerikanë do të shërbejnë në Kosovë për dy vjet në baza vullnetare. Në ceremoninë e betimit të tyre si vullnetar, nga presidentja Vjosa Osmani është lartësuar raporti i Kosovës me SHBA-në. Pas ceremonisë, Osmani ka folur për rrezikun nga Serbia e takimet e parealizuara me të gjithë opozitarët.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme që të përballet me çfarëdo skenari që vjen nga Serbia.
Pasi mori pjesë në betimin e 17 vullnetarëve të rinj amerikanë të Korpusit të Paqes në Kosovë, Osmani ka bërë të ditur për përgatitjet që janë duke u bërë në këtë drejtim.
"Unë jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t'i ndërmarrim te gjitha masat e nevojshme që ta mbrojmë Kosovën, që ta mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë, me rendësi është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar", ka thënë Osmani.
Osmani ka folur edhe për dështimin e takimit me dy prej tre krerëve opozitarë, të hënën.
Ka thënë se është e gatshme për aq sa është e mundur që qëndrimet e tyre t`i përfshijnë në ato institucionale.
Paraprakisht në ceremoninë e betimit të të rinjve amerikanë, Osmani ka folur për lidhjet me SHBA-në, që tha se tejkalojnë ato diplomatike.
E ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i ka vlerësuar të rinjtë amerikanë për interesimin e tyre për të qenë vullnetarë në Kosovë.
“Shpresoj dhe pres që ju do ta përqafoni këtë rrugëtim dhe këtë mundësi dhe besoj shumë në ju. Kam qenë po ashtu më parë i bindur se keni ndikim në jetët e të tjerëve dhe në komunitetet në Kosovë. Jam tejet i bindur se ata do të kenë një ndikim të njëjtë te ju”, ka deklaruar Hovenier.
Me një shqipe të avancuar përvojën e tyre të trajnimit për t`u bërë vullnetarë në Kosovë e ndanë disa nga ta.
“Kur erdhëm në Kosovë, dinim shumë pak për këtë vend, por tani e kemi kuptuar që asgjë nuk krahasohet atë që sheh me sytë e tu. E kemi parë që familja dhe komuniteti janë të domosdoshme, mirëpritja dhe pritja e mysafirëve janë të jashtëzakonshme dhe njerëzit kanë një kuptim të fortë të vetvetes dhe historisë”, ka thënë Peter Appleby.
17 vullnetarët që u betuan të mërkurën do të qëndrojnë në Kosovë për dy vjet.