Zyrtarë të Serbisë kanë thënë se presin mbështetje nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, të cilëve ua kanë atribuuar edhe ndryshimin e qëndrimit në raport me Kosovën, për shkak të veprimeve të qeverisë Kurti. Derisa në qeveri nuk treguan nëse do të marrin pjesë në SHBA ku këtë javë i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, atje është duke qëndruar presidentja Vjosa Osmani
Beogradi zyrtar ka paralajmëruar ofensivë diplomatike kundër Kosovës në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, që i zhvillon punimet nga 23 deri më 29 shtator. Ne qeverinë e Kosovës e as në zyrën e presidencës nuk kanë treguar për veprimet që do t’i ndërmarrin në kundërvënie të fushatës së Serbisë.
Në ShBA është duke qëndruar presidentja Vjosa Osmani, e cila së fundi postoi për disa takime të zhvilluara me komunitetin shqiptar. Po ashtu në rrjetet sociale tregoi se ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.
“Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Ligës Arabe, si dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
E zyrtarë të Serbisë kanë folur për mundësinë që të përfitojnë nga siç u janë referuar “dështimet diplomatike të Prishtinës” për të forcuar pozicionin e saj, kryesisht në marrëdhëniet me SHBA-në, por edhe me partnerët perëndimorë. Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se po përgatiten për një ndryshim të qëndrimit të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
“Duke u lidhur në mënyrë interesante me faktorë kyç në bashkësinë ndërkombëtare, kemi arritur në pikën ku ato vende që mbështetën fuqimisht të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës tani po flasin me zë të lartë dhe qartë kundër asaj që po bën regjimi i Kurtit”, citohet të ketë thënë Gjuriq.
Por Gjuriq, siç raporton “Danas”, nuk ka treguar se çka nënkupton konkretisht kjo, “duke marrë parasysh se faktorët kyç, pavarësisht se sa flasin në favor të Beogradit, nuk kanë njoftuar për ndonjë kthesë drastike kundër Prishtinës”.
Kjo qasje e Beogradit është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023, sipas së cilës Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se do të udhëtojë në Nju Jork dhe se ka në agjendë edhe një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.