Arbëri

Osmani pranon letër nga Trumpi, e falënderon për bashkëpunimin me SHBA-në

Osmani & Trump

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të martën një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin e saj ndaj marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për lidershipin e saj të guximshëm, ka njoftuar Presidenca në Facebook.

Në letrën e tij, sipas njoftimit, presidenti Trump shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e Kosovës për mikpritjen e 50 emigrantëve nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të qartë të gatishmërisë për bashkëpunim me SHBA-në. Ai e vlerëson këtë vendim si shprehje të fuqisë dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, shkruan presidenti amerikan.

Trumpi, sipas Presidencës, në letër ka përgëzuar Osmanin për angazhimin e saj në forcimin e kësaj lidhjeje dhe ka shprehur dëshirën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në vitet që vijnë.

“Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë”, thuhet më tej në letrën e tij.

Në përmbyllje, presidenti amerikan i ka përcjellë Osmanit edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.

Njoftimi i Presidencës:

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta," ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: "Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë."

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.