Arbëri

Kosova merr vendim t’i pranojë 50 emigrantë nga SHBA-ja

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës (Foto: Alban Bujari)

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës

Foto: Alban Bujari

Qeveria e Kosovës mori vendim që brenda një viti t’i pranojë  deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Në vendimin e mbledhjes që u mbajt të mërkurën u tha emigrantët do të qëndrojnë në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.

“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet  Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkruar në Facebook të mërkurën se përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një listë e propozuar, për ata që i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit publik.

Ai ka shtuar se gjatë qëndrimit në Kosovë, këta persona do të veprojnë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka thënë Kurti.