Strehë e emigrantëve të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëhet Kosova. Përmes një vendimi të marrë në mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që të pranojë 50 emigrantë, siç ka thënë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre në vendlindje. Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka këshilluar qeverinë që të kërkojë diçka nga administrata Trump në këmbim të gatishmërisë për të pranuar emigrantët
Kosova do të pranojë 50 emigrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi është miratuar të mërkurën nga Qeveria në detyrë në një mbledhje elektronike pasi, siç është thënë, ka qenë kërkesë e vetë SHBA-së.
Pas miratimit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre do të bëhet brenda një periudhë njëvjeçare.
“Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë sot e përkthyem në vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të”, ka bërë të ditur Kurti. “Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”.
Kurti më tej ka treguar arsyet se pse shteti i Kosovës ka shprehur gatishmërinë t’i përgjigjet kërkesës së SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe e vlerësojmë lart mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik”, ka theksuar Kurti.
Por, eksperti i çështjeve që lidhen me Ballkanin, Daniel Serwer, konsideron se në raport me presidentin Donald Trump duhet pasur kujdes.
"Besoj se Kosova mund të pranojë disa emigrantë nga SHBA-ja për ta zbutur Trumpin. Por, nëse e bën këtë, është më mirë që të marrë diçka në këmbim paraprakisht me shkrim. Ai nuk i shlyen borxhet", ka thënë Serwer.
Ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Sipas një raportimi të “Bloombergut”, bëhet fjalë për emigrantët kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela - të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.
Kosova ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e diskutimeve të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Tiranës, presidentja Vjosa Osmani ka lënë të hapur mundësinë e diskutimit për realizimin e planit të Mbretërisë së Bashkuar për ngritjen e qendrave në vende të treta për imigrantët e paligjshëm.