Një ditë pas vendimit të Qeverisë për pranimin e emigrantëve të dëbuar nga SHBA-ja, ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit. Pa shpalosur hollësi të zhvillimit të procesit, nga DASH-i janë shprehur mirënjohës për mbështetjen nga Kosova
Vendimi i Qeverisë në detyrë, që t’i strehojë 50 emigrantë të dëbuar nga SHBA-ja, është mirëpritur nga administrata amerikane.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në një përgjigje për CBS News, ka shprehur mirënjohje për këtë veprim.
“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta, të larguar nga SHBA-ja, dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, tha DASH.
E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të enjten, tha se nuk i posedon hollësitë e procesit të strehimit të këtyre emigrantëve.
“Duhet ta kuptoni që unë jam kryeministër, ministrja e Jashtme, ministri i Brendshëm, janë ekipet e juristëve tanë, të cilët bisedojnë tash me palën amerikane për detajet. Këtë përgjigje do ta gjeni në aspektin teknik të saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk është as koha, as vendi, as zyrtari për këtë pyetje”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës, një ditë më parë, në një mbledhje elektronike, e miratoi vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, për siç thuhet, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje.
Paraprakisht, Departamenti Amerikan i Shtetit pati konfirmuar se vendet e rajonit të Ballkanit, janë kontaktuar në kuadër të një strategjie më të gjerë amerikane, për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
E, sipas raportimit të “Bloomberg”, bëhet fjalë për emigrantët, kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela - të cilëve u është tërhequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.