Pushteti aktual ka marrë kritika për ndikim në arsimin e lartë. Aktivistë të organizatës ORCA thanë gjatë një aksioni para Ministrisë së Arsimit se ekzekutivi ka ndikuar jo veç në konkurset për profesorë në UP, por ua ka lehtësuar kolegjeve private edhe procesin e akreditimit
Aktivistë të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, akuzuan Qeverinë të mërkurën për ndikim në procesin e dhënies së gradave akademike në Universitetin e Prishtinës, e edhe në procesin e akreditimit të kolegjeve private.
Ata protestuan para Ministrisë së Arsimit dhe folën për parregullsi në disa prej konkurseve për emërime dhe avancime të stafit. Sipas tyre, një kandidat me doktoratë në universitetin numër një të Austrisë është lënë jashtë, për një të doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci, ka thënë se premtimet e Qeverisë për kthimin e trurit kanë mbetur vetëm në letër.
“Kthimi i trurit është diçka që e kemi dëgjuar më së shumti nga Albin Kurti. Proklamatat e tij dhe të Qeverisë së tij se me ardhjen e tyre në pushtet truri do të kthehet në Kosovë, se diaspora do të kthehet në Kosovë, po dalin dita-ditës të pavërteta”, ka thënë Gjinovci.
Gjatë protestës janë dhënë kritika edhe për procesin e akreditimit të bartësve të arsimit të lartë.
“Qeveri që i favorizon kolegjet private duke i ulur kriteret për akreditim dhe duke lejuar që persona pa kualifikime akademike me qenë bartës të programeve akredituara në kolegjet private”, ka thënë Gjinovci, duke theksuar se dështimet në Universitetin e Prishtinës ia faturon kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij. “Po veprojnë jo më ndryshe se regjimet e kaluara”.
Këtë muaj Kuvendi zhbllokoi vendimmarrjen në Agjencinë e Akreditimit duke emëruar një anëtar ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, që t’i hapë rrugë procesit të vlerësimit të raporteve që ekspertët kanë bërë për akreditimin e programeve të universiteteve publike dhe kolegjeve private.