Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ORCA me aksion simbolik para Kuvendit: Kërkon të mbrohet pavarësia e Agjencisë për Akreditim

Orca

Organizata për cilësi në arsim ORCA ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar, siç u tha, tentimet për cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, raporton Ekonomia Online.

Aktivisti i ORCA-s, Dibran Hoxha, para mediave theksoi se ndërhyrjet në këtë proces rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin e sistemit të arsimit të lartë në vend.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pavarësia e AKA-së duhet të mbrohet me çdo kusht dhe standardet duhet të zbatohen pa kompromis. Kuvendi i Kosovës nuk duhet të votojë një proces të komprometuar, por të ruajë integritetin institucional dhe besimin publik në sistemin e akreditimit”, deklaroi Hoxha.

Ai foli për zhvillimet e fundit lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke e cilësuar të gjithë procedurën si të përshpejtuar dhe problematike.

“Më 7 prill 2026, Ministria e Arsimit shpalli thirrjen publike për nominimin e tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, me një afat aplikimi prej vetëm 8 ditësh. Për këtë thirrje aplikuan gjithsej 10 kandidatë. Më 20 prill, komisioni vlerësues u mblodh dhe brenda rreth 48 orëve përfundoi vlerësimin e të gjithë kandidatëve, duke hartuar një listë rekomandimesh që iu dorëzua ministrit Hajrulla Çeku”, tha ai.

Sipas Hoxhës, mënyra e procedimit ngre shqetësime serioze për transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.

“Raporti është proceduar në Qeveri në mënyrë urgjente, pa qartësi nëse është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ndërkohë, kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim. Këto elemente krijojnë dyshime serioze për integritetin e gjithë procesit dhe për respektimin e procedurave ligjore”, u shpreh ai.

Ai hodhi poshtë edhe arsyetimin për urgjencë në këtë proces.

“Pretendimi për mungesë kuorumi në Këshillin Shtetëror të Cilësisë nuk qëndron. Përbërja aktuale e këtij organi garanton funksionimin e tij edhe për një periudhë të konsiderueshme kohore. Nuk ka asnjë bazë faktike apo ligjore për të krijuar urgjencë artificiale për ndërhyrje në përbërjen e tij”, theksoi Hoxha.

Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe rikthimin e një kandidature të kontestuar.

“Në këtë proces është rikthyer emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019, i cili në vitin 2023 ishte diskualifikuar nga një proces i ngjashëm për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim. Ai kishte pretenduar rol akademik si bartës programi në Universitetin e Prishtinës dhe kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë përvojën e tij akademike”, deklaroi ai.

Hoxha shtoi se edhe zhvillimet e fundit lidhur me këtë kandidat janë shqetësuese.“Në tetor 2025, ai u përfshi në një incident publik me sjellje joakademike gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në shkurt 2026 është ndëshkuar me vërejtje me shkrim nga Universiteti i Prishtinës për cenim të imazhit institucional. Pavarësisht këtij historiku, ai është rekomanduar sërish për një pozitë vendimmarrëse”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës në seancën që është paraparë të nisë në orën 12:00 e ka në rend dite edhe emërimin e tre anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.