Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se ka vendosur që të mbështesë kandidaturat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënkryetarë të Kuvendit.
Ndryshimi i qëndrimit të VV-së vjen pas dy vazhdimeve të seancave konstituive, në të cilat partia më e madhe në Kosovë refuzoi emrat e Vlora Çitakut të PDK-së dhe të Kujtim Shalës së LDK-së me arsyetimin se këta dy deputetë janë zotuar se s’kanë votë për president.
“Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme. U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet! Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve. Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në njoftim.
Në mesjavë, Kuvendi e votoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Pastaj Vetëvendosje akuzoi Listën Serbe për mënyrën se si e propozoi Sllavko Simiqin “në emër të popullit serb” për nënkryetarë, dhe kundërshtoi emrat e PDK-së dhe të LDK-së.
Të premten, VV-së iu votua edhe Ardian Gola për nënkryetar. Pastaj VV-ja abstenoi te votimi për Çitakun. Deputetët e PDK-së lëshuan sallën në shenjë proteste. E në vazhdimin tjetër deputetët e LDK-së lëshuan sallën duke refuzuar të japin emër para se të votohet kandidati i PDK-së.
Edhe
Kurti: Kemi nevojë për takim sqarues me Hamzën, PDK-ja të vijë të dielën në seancë
Seanca u caktua për të dielën në orën 10.
Shala po kundërshtohet nga VV-ja, pasi doli si pjesë e gjashtë deputetëve të LDK-së që janë kundër marrëveshjes me VV-në për emrin e Bekim Sejdiut për president.