Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Vritet i mituri që sulmoi xhandarin para Ambasadës izraelite në Beograd, Daçiqi e cilëson sulm terrorist

Ambasada izraelite në Beograd

Një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe, i cili ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd, është sulmuar me dy thika gjatë natës, ndërsa sulmuesi është vrarë nga polici në vetëmbrojtje. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka cilësuar ngjarjen si sulm terrorist.

Sulmi ndodhi rreth orës 00:15, para ambasadës në lagjen Dedinje të Beogradit. Sipas Daçiqit, sulmuesi, për të cilin policia dyshon se ishte i mitur (15-vjeçar) nga Shabaci, ka bërtitur “Allahu Akbar” dhe më pas ka sulmuar me dy thika pjesëtarin e Xhandarmërisë.

Polici ka pësuar lëndime të lehta, përfshirë një prerje në fytyrë. Sipas ministrit, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet nga spitali për trajtim në shtëpi. 

Daçiqi ka deklaruar se sulmuesi ishte mbështetës i organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS) dhe se në profilin e tij në Instagram kishte një flamur të zi dhe simbole të kësaj organizate. Ai ka thënë gjithashtu se shërbimet e sigurisë e kishin përcjellë të dyshuarin, por identiteti i tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas sulmit, ministri ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist në të kuq, që është niveli më i lartë. Kjo nënkupton shtimin e pranisë policore në objektet me rëndësi të veçantë të sigurisë dhe në vendet ku grumbullohen shumë qytetarë.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj policisë që ruan Ambasadën izraelite në Beograd. Në qershor të vitit 2024, një person e kishte plagosur rëndë me hark një pjesëtar të Xhandarmërisë, duke e goditur në qafë. Polici më pas e kishte vrarë sulmuesin.