Arbëri

ORCA akuzon pushtetin për ndërhyrje në emërimet dhe avancimet në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, ka hedhur akuza ndaj pushtetit për ndikim në procesin e emërimeve dhe avancimeve të personalit akademik në Universitetin e Prishtinës.

Përmes një aksioni protestues para objektit të Ministrisë së Arsimit, kjo organizatë ka thënë se pushteti është duke penguar kthimin e trurit.

Drejtori i organizatës Rron Gjinovci ka përmendur një nga konkurset për pozitën Profesor-Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku sipas tij është rekomanduar personi më pak i kualifikuar.

“I tillë është rasti i ilir Murturit i cili ka kryer doktoraturë në Universitetin Teknik të Vjenës, universiteti numër një në Austri për fushën e vet dhe ndër 100 në botë. Ilir Murturi me shumë më shumë punime shkencore dhe shumë më shumë kredenciale akademike, refuzohet për pozitën e profesorit asistent, ndërkaq në këtë pozitë rekomandohet Besmir Sejdiu me doktoraturë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe me të ashtuquajtura monografi të publikuara në dyqanin përball nesh ‘Ricoh’”, ka thënë ai.

Për këtë ai ka akuzuar anëtarët e komisionit vlerësues në krye me profesorin Blerim Rexha. Javën e kaluar profesori Rexha pati deklaruar për këtë rast, duke thënë se kanë vepruar në bazë të rregullores për përzgjedhjen, emërimin dhe avancimin e stafit akademik. “Sikur konkursi të mos kishte rregulla dhe sikur komisioni të kishte një vlerësim të lirë, Ilir, ti do të ishe zgjedhja jonë e parë”, pati shkruar Rexha.

Gjinovci pati kritika edhe për konkurset në Fakultetin Filozofik. Sipas tij janë rekomanduar kandidatët pa kredibilitet dhe pa kualifikim superior akademik

“Plagjiatori Bujar Dugolli është përfshirë në komisione vlerësuese. Imagjinoni plagjiatori Bujar Dugolli ka me dhënë mendim se kush duhet e kush nuk duhet të bëhet asistentë e profesor në Universitetin e Prishtinës. Kandidati super i dobët, Dorajet Imeri, ish asistenti i plagjiatorit Bujar Dugolli, i cili nga 100 pikë sa mundet me i pas një profesor, i ka fituar mezi 50, është rekomanduar të bëhet profesor-asistent në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë ai.

“Në anën tjetër Arian Janova, i cili është i akuzuar për shitblerje të notave, rekomandohet për asistent. Oktaj Hasani, pasardhës i këtyre tjerëve, në organizatën famëkeqe Reforma, propozohet asistent nga plagjiatori Bujar Dugolli”, ka shtuar ai.

KOHA gjatë ditës do të përpiqet të marrë qëndrime edhe nga të gjithë personat e përmendur në tekst.