Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka publikuar Platformën Kombëtare të Rangimit të universiteteve publike, sipas së cilës Universiteti i Prishtinës është në krye të listës për integritet akademik. E, drejtues të dy universiteteve dhanë kritika për mënyrën e vlerësimit.
Universiteti i Prishtinës është listuar i pari në rangimin për integritet akademik të universiteteve publike të Kosovës, të cilin e ka bërë Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.
Sipas organizatës, UP-ja ka përmbushur në shkallën 82.5 për qind indikatorët e përcaktuar për këtë vlerësim, ndërsa Universiteti i Gjilanit më së paku, 44.1 për qind.
Drejtori ekzekutiv në ORCA, Dibran Hoxha, tha se vlerësimi që bëhet përmes Platformës Kombëtare të Rangimit, nuk ka synim nxitjen e konkurrencës negative.
“Platformën e kemi cilësuar si një mjet që e rrit konkurrencën e shëndetshme në arsimin e lartë në Kosovë, kryesisht në universitetet publike që janë në interesin tonë dhe të shoqërisë”, tha Hoxha.
Sipas ORCA-s, vlerësimi për integritetin akademik është bërë mbi bazën e pesë indikatorëve: transparencës, barazisë gjinore, raportit staf akademik-student, suksesit në akreditim, si dhe justifikimit të titujve akademikë.
Edhe
Diskriminuese, formula aktuale e financimit të universiteteve
Por, vërejtje për këtë raport dha rektori i Universitetit të Gjilanit, Artan Dërmaku.
“Kjo formë kështu lë shumë për të dëshiruar, që mos të them se ka ndonjë keqpërdorim – që nuk e besoj – por mund të shkojë mendja andej”, tha Dërmaku.
Vërejtje për komponentët e vlerësimit dha edhe rektori i Universitetit të Gjakovës, Drilon Bunjaku.
“Askund nuk e pashë bashkëpunimin ndërkombëtar si një komponentë kyçe të universiteteve. Sa ka projekte ndërkombëtare, mobilitete, elemente që po sheh sa po shkojnë jashtë stafi. Është një element tjetër i rëndësishëm, sepse kur shkojmë në asociacione të ndryshme ndërkombëtare, pyetja e parë është sa programe ofroni në gjuhën angleze”, u shpreh Bunjaku.
E rektori i Universitetit të Pejës, Armand Krasniqi, tha se platformat e rangimit janë të mirëseardhura dhe do të shërbejnë për t’u përmirësuar në të ardhmen.
Edhe
Një mijë studentë më shumë këtë vit në Universitetin e Prishtinës, katër prej tyre nga diaspora
“Ju thatë se kjo është pjesë fillestare, por të gjithë indikatorët janë të rëndësishëm për ne për përmirësimin tonë. Nuk kemi indikatorë shpesh kur ne e vlerësojmë vetveten, dhe është mirë që dikush në nivel nacional na orienton çka të bëjmë”, tha Krasniqi.
Edhe në ranglistat më kredibile ndërkombëtare, Universiteti i Prishtinës listohet i pari nga bartësit e arsimit të lartë në gjithë rajonin, që ofrojnë studime në gjuhën shqipe.