LAJMET E MBRËMJES

Opozita e kritikon Kurtin për mashtrim e për humbje historike, paralajmërohen edhe protesta

Për ta kundërshtuar marrëveshjen e arritur në Ohër është paralajmëruar protestë më 25 mars. Atë do ta organizojë Partia Socialdemokrate e cila ka qenë më e zëshmja kundër kësaj marrëveshjeje. PDK-ja e ka akuzuar kryeministrin për shkelje të parimeve, e LDK-ja ka thënë se Kurti mashtroi qytetarët e humbi një mundësi historike.

Dy partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes.

Lideri i Opozitës, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, tha se kryeministri Kurti brenda më pak se tri javësh ka pranuar gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte.

Krasniqi ka thënë se kjo marrëveshje nuk i arrin qëllimet që i ka shteti ynë.

“Përtej mashtrimeve të tij, brenga jonë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se për partinë e tij marrëveshja është e papranueshme.

Ai e ka kritikuar kryeministrin Kurti për mashtrim e për humbje të një mundësie historike.

“Një kauzë politike e rreme - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjesht u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, ka thënë Abdixhiku.

Reagime gjatë ditës nuk ka pasur nga Partia e Haradinajt, e cila publikisht e ka mbështetur marrëveshjen.

Për ta kundërshtuar këtë marrëveshje Partia Socialdemokrate ka thirrur protestë më 25 mars.

Kreu i saj, Dardan Molliqaj, tha se dialogu në qendër të tij nuk e ka njohjen de facto, por Asociacionin, kundër të cilit tha se edhe po thirret protesta.

“Vërehet që për Kosovën ka vetëm obligime dhe ka vetëm shkop. Ndërsa krejt çka është për Serbinë, janë disa obligime ndërkombëtare që do të bëhen, por në anën tjetër e ka marrë karotën që e ka dashtë, e që është ajo që quhet asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj u shpreh se emri dhe mbiemri i kryeministrit për ta nga tash është “Albin Zajednica”, teksa kritikoi partitë opozitare për mosreagim.

Ai tha se në ditën më të jashtëzakonshme të vendit partitë opozitare nuk kanë thënë asgjë.

Kundër kësaj marrëveshjeje ka thënë se është edhe Lëvizja për Bashkim.