Arbëri

PSD-ja paralajmëron “protestë të madhe” për ta kërkuar dorëheqjen e Kurtit

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se protesta e së shtunës do të jetë e madhe në pjesëmarrjen e njerëzve, ndërsa parulla kryesore e saj do të jetë kërkesa për dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.

Kuçi ka thënë se PSD-ja e ka organizuar këtë protestë për ta kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën, sipas saj, Kurti e ka pranuar krijimin e Asociacionit dhe ka ndryshuar qasjen që e kishte për 15 vjet në opozitë.

“Protesta ka parullë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Kurtit, pasi ka pranuar vetëmenaxhimin që ia ka ndërruar emrin për konsum publik, pasi është Asociacion apo ‘Zajednicë’. Kemi mbështetje nga OVL-UÇK, NISMA dhe shumë nisma të tjera qytetare, njerëz që kanë shprehur mbështetjen që të jetë protesta sa më e madhe. Kemi konfirmime të panumërta që protesta të jetë e madhe. 15 vjet opozitarizëm dhe një pushtet që e ndërron komplet qasjen”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

Kuçi ka thënë se dakordimi për këtë marrëveshje nuk duhet të kalohet në heshtje. Ajo e ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit “si marrëveshje më të keqe për Kosovën deri tash”.

“Mund ta ndalim zbatimin e kësaj marrëveshjeje me dorëheqjen e Kurtit”, ka thënë zyrtarja e PSD-së.

Kuçi e ka cituar një sondazh, me të cilin pretendon se 75 për qind e njerëzve janë kundër kësaj marrëveshjeje. Andaj, sipas saj, duhet një organizim që e shpreh këtë pakënaqësi. Beson se këto veprime të Qeverisë Kurti do të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme për rënie të VV-së.

Kuçi ka deklaruar se protesta e së shtunës do të ketë efekt te Kurti, ashtu siç, ajo ka thënë, që pati, protesta më rrymën më herët dhe aksione të shumta në lidhje me marrëveshjen për ‘stikerë.

Ajo ka pasur kritika për opozitën që është në Kuvend, duke thënë se e kanë përbrendësuar fajin dhe se po ndihen inferiorë karshi Kurtit.

“Përsëritja e pushteteve të kaluara. Kudo që shkojmë, në çdo sektor kemi stërkeqësim të situatës në vend”, ka thënë Kuçi kur u pyet për vlerësimin që i bën punës dyvjeçare të ekzekutivit të udhëhequr nga Kurti.

Protesta e PSD-së është thirrur për nesër [e shtunë] nga ora 14:00, në sheshin "Zahir Pajaziti".