LAJMET E MBRËMJES

Nxënësit bojkotojnë mësimin e prindërit protestojnë në “Ismail Qemali”

Vërshimi i katit përdhes të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nga ujërat e zeza ka shtyrë dhjetëra nxënës ta bojkotojnë mësimin të mërkurën e prindërit e tyre të protestojnë. Drejtoresha e shkollës ka pritur prindërit, por nuk ka pranuar të flasë për media. E në pyetjet e KOHËS nuk janë përgjigjur as nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht dy drejtori të saj, që kanë të bëjnë me arsimin e infrastrukturën

Nxënës të katër klasave të pesta në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë bojkotuar mësimin të mërkurën.

Të katër këto klasa mësojnë në katin përdhes, ku të martën shpërthyen ujërat e zeza, e edhe të mërkurën kundërmonte erë e keqe. 

Arbenita Rexhepi, prind i një nxënësi të klasës së pestë, ka thënë se djalit të saj që vuan nga alergjia menjëherë i janë shfaqur simptoma.

"Fëmijët i kanë marrë karriget për me shku te një zyrë e arsimtarëve, pastaj kanë shku te klasa e nxënësve të parë që e kanë kryer mësimin më herët. Pra, gjithë dita iu ka shku me mbajtë një lëndë duke i marrë karriget për me shku me mbajtë mësimin. Kjo, së pari për veten e tyre, është tmerr. Fëmija im është i sëmurë me alergji, ka shumë vlera të larta. Nëse ai rri në atë ambient me erë të ndotur dhe të mykur, unë jam shumë i sigurt që fëmija im ka me nejtë më shumë nëpër mjekë se tu e mbajtë mësimin", ka thënë Rexhepi.

E Nakshie Gjonbalaj është shprehur se mbesa e saj të martën është kthyer e frikësuar në shtëpi nga ajo që ka ngjarë në shkollë.

"Mbesa ime dje ka mbajtur mësim jashtë në oborr, me çanta. Dje e dëgjova drejtoreshën duke thënë që ka pasur edukatë fizike, por edhe edukata fizike është orë e obligueshme. Dje mbesa ime ka qenë e tmerruar. Ne si prindër – unë jam gjyshja e saj – kam qenë shumë e shqetësuar, sepse unë kam qenë punonjëse shëndetësore dhe e di se çfarë do të thotë me qëndru në erë të ujërave të zeza. Nuk është ky problemi që ka ndodhë këtë herë, por këto gjëra po ndodhin shpesh. Edhe kushtet janë të këqija. Kanë premtuar, por nuk kanë bërë asgjë", ka theksuar ajo.

Për situatën e krijuar të mërkurën pati edhe një protestë nga prindërit në oborrin e shkollës. 

Arlind Celina nga Këshilli i Prindërve të shkollës ka theksuar se problemi me ujërat e zeza ishte planifikuar të zgjidhej gjatë pushimit veror.

“Kjo situatë na ka ndodhur për herë të katërt, nëse e llogarisim edhe nga fillimi i vitit shkollor në shtatorin e kaluar e deri më sot. Çdo vërshim, çdo shi ka shkaktuar përmbytje në katin përdhes ku mbajnë mësim klasat e pesta. Për këtë arsye, ne prindërit e nxënësve të klasave të pesta kemi vendosur të organizojmë një protestë paqësore, pa dëshirë për të penguar procesin mësimor të niveleve të tjera. Për raste urgjente, shkolla po gjen zgjidhje të përkohshme për një ditë, por është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje më e përhershme dhe serioze", ka thënë Celina.

Pas protestës drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi, ka pritur anëtarët e Këshillit të Prindërve e për media nuk ka dashur të prononcohej.

Mësimi në këtë shkollë ka nisur me banja të dëmtuara e pa ndërhyrje në rrjetin e kanalizimit.

Të martën, kur ujërat e zeza vërshuan katin përdhes të shkollës, drejtoresha Krasniqi ka thënë se shkak i problemit është bllokimi i një pusete dhe se për këtë ka njoftuar Drejtorinë e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.

KOHA të mërkurën ka bërë disa përpjekje për ta kontaktuar drejtorin e Arsimit, Samir Shahini, por ai nuk është përgjigjur. 

Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Drejtoria për Investime Kapitale në pyetjen se përse nuk është intervenuar në këtë shkollë gjatë pushimit të verës.