Një 30-vjeçar ka humbur jetën pasi u zu nga një lis që nuk e përballoi erën e fortë që përfshiu Prishtinën të hënën pasdite. Nga rrëzimi i po këtij lisi lëndime të rënda trupore ka pësuar një grua e po të njëjtës moshë. Në momentin kritik personi që gjeti vdekjen ishte duke ecur në rrugën “Vaso Pasha”, ndërsa e lënduara në momentin kritik ishte duke vozitur makinën. Rasti është konfirmuar nga Policia Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka treguar se e lënduara është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrëzuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit, mashkull rreth 30 vjeç, ka humbur jetën, përderisa e lënduara tjetër femër, po ashtu rreth 30 vjeçe, është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në përgjigjen e Borovcit.
Ngjarjen tragjike e thotë ta ketë parë nga afër F. Muja, shtetas nga Shqipëria, i angazhuar me punë në Prishtinë. Ai ka thënë për KOHËN se policia ka mbërritur vonë në vendin e ngjarjes. "Unë isha duke kaluar rrugës, isha duke ardhur nga puna, edhe e pashë një djalë të ri teksa po vraponte, veç kur e pashë që u rrëzua pema, ka bërtitur një grua, e cila ishte në veturë, kurse ky djali nuk ka bërtitur hiç, e ka zënë poshtë dhe ka vdekur. Policia ka mbërritur vonë, shumë vonë, nuk mund të gënjej për këtë", ka thënë ai.
Latif Zeka, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Prishtinë, kërkoi që të inspektohen dhe të largohen drunjtë e lartë që paraqesin rrezik për qytetarët.
“Vendet ku ka plepa janë vendet që janë me një bazë shumë të dobët, të cilat mund të rrëzohen nga një erë dhe mund të shkaktojnë këso dëmesh. I propozoj kryetarit që çdo plep që është në këtë gjendje të largohet”, ka thënë Zeka, i cili nuk mundi t’i fshehë lotët e dhimbjes për viktimat.
Në Klinikën Emergjente të QKUK-së kanë konfirmuar se e lënduara është jashtë rrezikut për jetën. Mjeku kujdestar, Ejup Govori, ka thënë se 30-vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. “Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetën, por ka lëndime serioze në ekstremitetet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar, por dyshohet për frakturë”, ka thënë Govori.
Për rastin ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetari Alban Zogaj, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjes në qytet, sidomos në zonat ku ka drunj.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq, i paralajmëruar për ditët në vijim”, shkroi Rama në status, në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Erërat e forta, sipas Shërbimit të Zjarrfikësve, kanë shkaktuar rrëzime të drunjve edhe në disa lagje tjera të Prishtinës.