Një tjetër aksident tragjik ka ndodhur të martën në një vendpunishte. Një person ka vdekur e një tjetër është lënduar si pasojë e rrëzimit të një vinçi në Prishtinë. Para një muaji, një tjetër person, humbi jetën si pasojë e rrëzimit të vinçit në Prizren
Egzona Mema
Përditësim (19:15) - Një person ka vdekur, ndërsa një tjetër është lënduar pas rënies së vinçit në një vendpunishte në Prishtinë, të martën.
Nga Emergjenca në Qendrën Klinike Universitare kanë bërë të ditur se dy persona, njëri i lindur në vitin 2000 dhe tjetri në vitin 2008, janë pranuar me lëndime të rënda.
Njëri prej tyre nuk ka arritur t'u mbijetonte lëndimeve e gjendja e tjetrit është stabile, ka thënë për KOHËN drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
“Njëri kishte politrauma të rënda dhe përkundër masave të ndërmarra të RCP-së rreth dy orë, për fat të keq s’mundi t’u përballonte lëndimeve dhe ndërroi jetë. Pacienti tjetër është në QE, me lëndime të rënda por gjendje stabile. Vazhdon trajtimin në Torakale”, ka thënë Syla.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave.
“Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.
E nga Inspektorati Qendror i Punës kanë bërë të ditur se vinçi ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike.
Për shkakun e aksidentit, nga Inspektorati kanë thënë se duhen pritur ekspertizat.
“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.
Vinçi është thyer dhe një pjesë e tij ka rënë mbi një shtëpi private, duke e dëmtuar kulmin dhe katin e sipërm.
Sipas pronarit të shtëpisë, në momentin e ngjarjes nuk ishte askush në shtëpi.
Për rastin ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës. Sipas njoftimit, menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policia e Kryeqytetit, pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Në njoftim thuhet po ashtu se të gjitha ekipet kanë vepruar me profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Ndërkohë ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në një reagim të saj ka kërkuar pikërisht nga Komuna e Prishtinës të japë llogari për incidentet e fundit në vendpunishte në kryeqytet.
“Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë. Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme. Ministria po verifikon me seriozitet çdo lëshim dhe do të kërkojë që çdo shkelës të japë llogari para ligjit”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Para pak më shumë se një muaji, një person tjetër ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të vinçit në një vendpunishte në Prizren.
VIDEO:
Dëmi i madh brenda një shtëpie pas rrëzimit të vinçit (VIDEO):



Ndalohen tre persona për rrëzimin e vinçit në Prishtinë ku vdiq një punëtor
Tre persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të martën lidhur me rrëzimin e vinçit në një vendpunishte në Prishtinë, aksident në të cilin humbi jetën një punëtor 26-vjeçar, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Sipas Prokurorisë, të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e personit të kompanisë investuese të projektit, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokuroria ka njoftuar se është informuar për aksidentin më 28 korrik, rreth orës 15:00, ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.
“Ndërkohë janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili po vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Si pasojë e aksidentit, jetën e humbi E.Sh., ndërsa një person tjetër pësoi lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas Prokurorisë, brenda afatit ligjor do të shqyrtohet kërkesa për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Rama: Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë është kompetencë e Inspektoratit të Punës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëzimit të vinçit në një vendpunishte në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar, duke theksuar se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës.
Përmes një reagimi, Rama ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’. Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.
Rama ka falënderuar Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.
Ai ka theksuar se rrethanat e aksidentit janë duke u hetuar nga organet kompetente.
“Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të shërbejë si kujtesë se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.
E drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar ndër të tjera edhe nëse vinçi i është nënshkruar kontrolleve teknike të nevojshme.
“Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjes, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës. Kjo nënkupton se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar, ndër të tjera, nëse vinçi i është nënshtruar kontrolleve teknike të nevojshme, nëse posedon dokumentacionin përkatës, nëse operatori ka autorizimet e nevojshme, si dhe nëse punëdhënësi ka zbatuar të gjitha standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ndërkaq, Inspektorati i Kryeqytetit, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, ushtron kompetencat e tij në zbatim të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe legjislacionin përkatës, si dhe duke ndërmarrë masat administrative të parashikuara me ligj kur plotësohen kushtet ligjore”, ka shkruar Brestovci në Facebook.
Ai ka thënë se kompetencat për kontrollin teknik, certifikimin dhe verifikimin e sigurisë së vinçit si pajisje pune i takojnë Inspektoratit Qendror të Punës, e Inspektorati i Kryeqytetit tha se ushtron kompetencat e tij në përputhje me Ligjin për Ndërtim.
“Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka shkruar Brestovci.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në një reagim më herët kërkoi nga Komuna e Prishtinës të japë llogaridhënie të menjëhershme pas aksidentit tragjik.
Inspektorati i Punës ndërkohë bëri të ditur se vinçi u rrëzua gjatë montimit, teksa theksoi se duhet pritur ekspertiza për të kuptuar rrethanat që çuan në aksidentin tragjik.
Komuna e Prishtinës pas tragjedisë në vendpunishte rithekson respektimin rigoroz të masave të sigurisë
Komuna e Prishtinës u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës nga rrëzimi i vinçit gjatë ditës së sotme, derisa ka rikthesuar rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë.
Përmes një njoftimi në Facebook, komuna ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e viktimës, duke uruar njëkohësisht shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar, i cili, sipas ekipeve mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Komuna ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policia e Kryeqytetit, pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Sipas njoftimit, të gjitha ekipet kanë vepruar me profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Komuna ka falënderuar pjesëtarët e të gjitha shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.
Lidhur me shkaqet e aksidentit, Komuna ka thënë se, sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Në fund, Komuna e Prishtinës ka ritheksuar rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në një reagim kërkoi nga Komuna e Prishtinës të japë llogari për incidentet e fundit në vendpunishte në kryeqytet.
Pacolli për rrëzimin e vinçit që la një të vdekur: Komuna e Prishtinës të japë llogari
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme nga Komuna e Prishtinës pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte, ku një 26-vjeçar vdiq e një 18-vjeçar mbeti i lënduar.
Pacolli ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarin.
“Me trishtim dhe keqardhje të thellë mora lajmin tragjik për humbjen e një jete dhe lëndimin e rëndë të një qytetari sot në një kantier ndërtimi në Prishtinë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të madhe, ndërsa të lënduarit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi në Prishtinë.
“Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia kryesore për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe Komunën e Prishtinës.
“Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shtuar ajo.
Pacolli ka bërë të ditur se ministria është duke verifikuar çdo lëshim të mundshëm dhe se do të kërkojë që çdo shkelës të japë llogari para ligjit.
Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje odave profesionale që të vlerësojnë urgjentisht nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe, nëse konstatohet, të marrin masa disiplinore deri në revokimin e licencave për profesionistët përgjegjës.
“Siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit është e panegociueshme. Nuk do të ketë kompromis me askënd”, ka përfunduar Pacolli.
Inspektorati i Punës: Vinçi u rrëzua gjatë montimit
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vinçi që u rrëzua në një vendpunishte në Prishtinë gjatë ditës së sotme ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti, që la një 26-vjeçar të vdekur e një 18-vjeçar të lënduar.
Sipas reagimit të inspektoratit, vinçi i përket kompanisë “Vëllezërit Asllani” derisa nuk kishte qenë i inspektuar më parë, pasi punimet ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.
Për shkakun e aksidentit, inspektorati ka thënë se duhen pritur ekspertizat.
“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.