Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimin e parë për krime lufte në mungesë - Çedomir Aksiq akuzohet për krime lufte në periudhën janar – maj 1999, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut. Për mbrojtjen e të akuzuarit, Oda e Avokatëve ka caktuar një avokat në bazë të detyrës zyrtare. Gjykata konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me gjykimin
Gjyqësori kosovar e ka përmbyllur seancën e parë të shqyrtimit fillestar për krime lufte në mungesë të të akuzuarit. Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Shtimes në periudhën janar - maj 1999, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut, nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës në Prishtinë. Gjyqtarja Violeta Namani-Hajra ka konstatuar se janë plotësuar një mori kushtesh për nisjen e shqyrtimit fillestar.
“Gjykimi në mungesë mund të mbahet edhe pa plotësimin e kritereve të parapara nga neni 303 për praninë e të akuzuarit në çështjen penale pasi që gjykata të bindet se në rastin konkret janë bërë përpjekjet e arsyeshme për ta njoftuar të akuzuarin Çedomir Aksiq për seancën e shqyrtimit fillestar për ta siguruar prezencën e tij... Gjykata konform nenit 3, paragrafit 4 të Kodit të Procedurës Penale merr aktvendim”, ka thënë Namani-Hajra.
Avokati i të akuzuarit në përputhje me Kodin e Procedurës Penale është caktuar nga Oda e Avokatëve. Zharko Gajiq u ankua se nuk i ka marrë provat e përkthyera në serbisht nga Prokuroria.
“E nderuar gjyqtare pak para nisjes së seancës i kam pranuar dokumentet të cilat ceken në aktakuzë, në orën 9”, ka theksuar Gajiq.
E gjyqtarja Namani Hajra e ka pyetur atë se pse nuk i ka kërkuar më herët provat.
“Avokat, pse s’keni vepruar sipas njoftimit të gjykatës duke marrë parasysh që me njoftimin e gjykatës më datën 3 nëntor e keni pranuar shkresën për t’u pajisur me shkresat e lëndës pranë prokurores së Prokurorisë Speciale. Vetëm pak momente pas kësaj e keni aktakuzën në gjuhën serbe. A ke pasur mundësi ta shqyrtosh aktakuzën deri më tani”, e ka pyetur gjyqtarja avokatit.
Avokati ka sqaruar se si ai ka pritur që do t’i dorëzohen dokumentet ashtu siç i është dorëzuar aktakuza.
Më pas u arrit dakordimi me sugjerimin e Gjykatës që të vazhdohet me pjesën tjetër të shqyrtimit fillestar – leximin e aktakuzës së prokurores speciale Habibe Salihi.
“Ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në atë mënyrë që deri sa kishin filluar sulmet e armatosura në drejtim të popullatës shqiptare civile dhe derisa i moshuari Hajriz Brahimi kishte filluar të largohet nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, papritmas i akuzuari me grupin e tij ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe është goditur menjëherë dhe pas disa sekondash Hajriz Brahimi ka rënë përtoke i vdekur”, ka thënë prokurorja Salihi.
Nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Reçak
Avokati Gajiq ka deklaruar se nuk mund të deklarohet për aktakuzën, meqë nuk ka pasur mundësinë t’i shqyrtojë provat. E gjyqtarja Namani-Hajra e udhëzoi atë lidhur me obligimin e tij në këtë gjykim në mungesë, që brenda 30 ditësh t’i kundërshtojë provat dhe të bëjë kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.
Mundësia e gjykimeve në mungesë është përfshirë në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2019. Kodi ndërkohë pësoi ndryshime më 2021 e 2022, derisa aktakuza e parë në mungesë u ngrit tek sivjet.
-
Kthehet në rigjykim rasti i Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burgim për masakrën e Reçakut
-
Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare
-
Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte
-
Dëshmitari Jashari: Aksiqin e kam pasur fqinj të parë, ma shkatërroi shtëpinë