Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Re֛çak.
Prokurori special, Ilir Morina, ka thënë se janë plotësuar kushtet që të nisë gjykimi në mungesë.
“Prokuroria parashihen kushtet ligjore se cilat duhet të plotësohen para se të ngritët aktakuza në mungesë dhe ato kushte janë thirrja, urdhërarresti, kërkimi i të pandehurit në territorin e Republikës së Kosovës, letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar. Në rastin konkret, prokuroria i ka plotësuar të gjitha kushtet, për ngritjen e aktakuzës në mungesë. Ne kemi dërguar thirrje për të gjithë të pandehurit, gjatë vitit 2021 përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, por nuk kemi pranuar asnjë përgjigje”, është shprehur Morina.
Ai ka thënë se më 11 maj 2022, në bazë të kërkesës së prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhërarrest për të pandehurit.
“Prandaj 22.08.2022, u lëshuar letër-rreshtim vendor, 26.10.2022, u lëshua letër-rreshtim ndërkombëtar. Pasi të gjitha kushtet ligjore janë plotësuar, PSRK ka ngritur aktakuzë në mungesë për të gjithë të pandehurit”, është shprehur Morina.
Edhe
Procesi gjyqësor për Masakrën e Reçakut joserioz, mungojnë avokatët e katër të akuzuarve
Ndërsa gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, ka marrë aktvendim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi ka thënë se për këtë janë plotësuar të gjitha kushtet.
“Meqë nuk prezantojnë të pandehurit e lartcekur, erdhëm në përfundim se gjykimi në mungesë mund të mbahet, pasi gjykata u bind se në rastin konkret janë bërë përpjekjet e nevojshme për të pandehurit. Andaj gjykata, merr aktvendim mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve të lartcekur, pasi gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për veprën penale si në aktakuzë”, ka theksuar Namani-Hajra.
Pas kësaj prokurori Morina e ka lexuar aktakuzën.
21 të pandehurit ngarkohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë pjesë në vrasje, tortura e shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile shqiptare.
“Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht e garantuan nga distanca prej disa vendeve të njohura si: "Pishat", "Gështenjat", "Çesta" dhe "Guri i Shpum" pastaj me automjete të blinduara, hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi, me ç’rast: në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin të cilit pastaj edhe ia presin kokën, në vendin e quajtur "Vrella" i vrasin Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi, në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij Hajriz Jakupi, në afërsi të shtëpisë së Zuk Mustafës i vrasin: Skender Halilin, Hanumshahe Mujota, vazhdojnë në drejtim të lagjes "Beqaj", thuhet ndër të tjera në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Aktakuza thotë se të akuzuarit vazhduan në drejtim të lagjes “Beqaj”, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri.
Edhe
Nis gjykimi për masakrën e Reçakut
Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, thuhet se të akuzuarit hynë në lagjen “Emini”, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllain e tij, Ajet Eminin - që të dy civilë.
“Më pas, në vendin e quajtur “Çeshma” i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij - Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli. Gjithashtu, aktakuza thotë se në pjesën tjetër të fshatit, nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe dyqanit të Luftës (siç e quanin fshatarët), gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe vrasin plakun Nazmi Imeri, në mënyrë mizore duke ia kthyer kafkën, sikurse përshkruhet në raportin e autopsisë”. Aktakuza tutje thotë se një tjetër grup i forcave serbe shkuan në shtëpinë e Sadik Osmanit dhe aty i gjetën dhe i strehuan rreth 70 banorë civilë të fshatit, fillimisht i ndanë burrat nga gratë, pastaj burrat i torturuan në oborr të shtëpisë dhe pas marrjes së një urdhri me radio-lidhje nga udhëheqësit e këtij operacioni, forca policore i morën burrat, i nxorën nga oborri një nga një dhe në kolonë për një i nisin në drejtim të malit te “Kodra e Bebushit”.
“Policia paraprakisht kishte rrethuar rrugicën në të dy anët duke pritur ardhjen e civilëve dhe në momentin kur ata arrijnë në këtë lokacion duke ecur në kolonë, nga të dyja anët e rrugicës fillojnë të shtënat me armë automatike nga të gjitha anët pa ndërprerë, për disa minuta, duke i ekzekutuar 24 persona në mënyrë mizore”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë thuhet se nga ky operacion i forcave policore serbe, u vranë mizorisht 42 civilë të të dy gjinive, të moshave të ndryshme, të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Sipas aktakuzës, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.
Pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale do të jetë edhe dëshmia e shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në atë kohë, William Walker.
Edhe
Në korrik mbahet seancë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut
Ai e pati cilësuar atë që pa në Reçak si krim kundër njerëzimit dhe konstatimi i tij mori shpejt jehonë në botë.
Për ta përcjellë nga afër seancën, në sallën e gjykimit ishin edhe disa studentë të huaj.