Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 21 personave të akuzuar për Masakrën e Reçakut, të cilët ndër të tjera ngarkohen me akuzën për krime lufte kundër popullsisë civile.
Gjykimi në mungesë do të zhvillohet kundër të pandehurve Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsmam Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiçeviq, Milan Lekiq, Radomir Miliq, Dragan Djorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujinoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiçijeviq.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një komunikatë për media bëhet e ditur se sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.
“Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore më 20 korrik.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 - 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës "243 të Mekanizuar", Armatës së III- të, e njohur si "Korpusi i Prishtinës", si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
"Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘Pishat', ‘Gështenjat' dhe ’Çesta'. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan", thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.