I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shuar shpresat për hapjen e shpejt të Urës së Ibrit për qarkullim. Pas takimit me kryetarin Bedri Hamza, Lajçak ka thënë se vendimi për këtë urë duhet të merret në Bruksel. Në Mitrovicë, emisari Lajçak është takuar edhe për përfaqësues të shoqërisë civile e të Listës Serbe.
Mbi urën që ndan Mitrovicën në dy pjesë ka kaluar të enjten emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Hapja e saj ka qenë në mesin e temave që Lajçak ka diskutuar në takim me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Javë më parë Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore mori vendim që kjo urë të hapet për qarkullim. Por, Lajçak ka thënë se vendimi për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithçka është në dorën e të dy palëve. Ata duhet të merren vesh, por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e përsëris gjithmonë që dialogu duhet të përdoret si platformë për marrëveshje. Nuk duhet që vizioni i njërës palë të jetë mbi vizionin e palës tjetër”, ka thënë Lajçak.
Pas takimit me Lajçakun, kryetari i Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza, është shprehur se lirinë e lëvizjes e garantojnë Kushtetuta e ligjet në fuqi. Por, ai nuk ka pranuar të ndajë detaje lidhur me vendimin për hapjen e saj.
“Duhen veprime që të krijohen kushte që të ketë liri për lëvizjen e qytetarëve pa pengesave dhe mallrave normalisht”, ka thënë Hamza.
Matanë urës së Ibrit, në objektin e njohur si Shtëpia e Evropës, emisari sllovak është takuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Pas këtij takimi emisari i BE-së është pyetur për pritjet që ka nga kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave me shumicë serbe, e që të gjithë janë nga partitë shqiptare.
“Kam vetëm një pritje, që të mos ketë përshkallëzim të situatës. Kjo do të thotë që përfaqësuesit politikë me të cilët po flasim duhet të gjejnë një zgjidhje”, ka deklaruar Lajçaku.
E për një orë pasdite është takuar edhe me ata të Listës Serbe.
Duke mos dashur që të shpalosë detaje nga takimi me Lajçakun, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se kanë diskutuar për problemet me të cilat tha se përballen serbët.
Lajçak në Kosovë ka qëndruar me qëllim të përgatitjes së takimit të radhës në Bruksel, e që do të zhvillohet më 15 maj ndërmjet kryenegociatorëvë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.