Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë janë nisur drejt selisë së NATO-s në Bruksel të martën pas takimeve që patën me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak.
Palokaj ka thënë se pas takimeve, të dy delegacionet kanë konfirmuar se në diskutimi në NATO do të diskutohet çështja e hapjes së Urës së Ibrit.
“Është interesante se të dy kryenegociatorët pas takimeve kanë thënë se do të shkojnë në NATO ku do të diskutohet për opsionet e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, por rreth kësaj nuk kanë dhënë detaje”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Prej disa muajsh, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë Urën e Ibrit – gjë e cila ka hasur në kundërshtim të ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët kanë thënë se ura qendrore në Mitrovicë duhet të hapet, por me dialog dhe në momentin e duhur.
Kryenegaciatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit të sotëm me Lajçakun e ka kushtëzuar hapjen e Urës së Ibrit me zgjerim të territorit të Mitrovicës së Veriut.
Palokaj tutje në intervistë ka thënë se në këto rrethana është shumë e vështirë të ketë përparim të madh në dialog.