Arbëri

Lajçak thotë se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit kundër marrëveshjeve

Lehtësuesi evropian i dialogut, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Prishtinë në përgatitje për takimin e radhës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Pas takimeve që i zhvilloi, ai tha se është arritur dakordim për këtë takim, ani se nuk dha datë se kur do të mbahet. Lajçaku konfirmoi se palët nuk janë tërhequr nga marrëveshjet e dakorduara vitin e shkuar e tek foli për urën mbi Ibrit tha se ajo duhet të hapet porse në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, e konfirmoi caktimin e një takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, porse nuk e bëri të ditur datën se kur do të mbahet.

Ai të premten qëndroi në Prishtinë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, për t’i diskutuar zhvillimet rreth urës qendrore mbi Ibër si dhe, siç tha, për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i njohur, por dua ta përsëris që ura duhet të hapet. Por kjo duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe këtë e diskutuam”, ka thënë Lajçak.

E në njoftimin e Qeverisë është bërë e ditur se Bislimi i ka thënë emisarit evropian se ura duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vetë raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Lidhur me Marrëveshjen Bazë, zbatimi i së cilës ka ngecur, Lajçaku ua kujtoi palëve obligimet e marrë përsipër. I pyetur për letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën thuhej se Serbia nuk i zbaton pikat që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, Lajçaku tha se dokumenti është tërhequr.

“Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu dhe atje që nuk ndihmojnë fare. Por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe të Serbisë. Pra, është e vlefshme në të dyja anët. Jemi pajtuar për diçka, por nuk mund ta themi këtë, pa u koordinuar me të tjerët”, ka shtuar ai.

Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit, Zyra e kryeministrit njoftoi se Bislimi e ka përsëritur që nënshkrimi i tyre është e vetmja garanci për zbatim nga Serbia.

Takimet e fundit në nivel të kryenegociatorëve janë zhvilluar para verës, në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e rregullores së BQK-së në veri, por ato nuk prodhuan ndonjë rezultat.