(E përditësuar 10:20) - Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, të premten në Prishtinë, janë pajtuar për takimin e radhës në kuadër të kryenegociatorëve në Bruksel, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Në një prononcim për media pas takimit, Lajçaku ka thënë se data e takimit nuk mund të thuhet pa u koordinuar me të tjerët.
Emisari i BE-së bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit, duke përsëritur se ura duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-ës është i mirënjohur, duhet të hapet por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Lajçak.
Emisari sllovak, që ka mandat në këtë detyrë deri në janar të vitit të ardhshëm, ka thënë se ka deklarata si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që nuk i ndihmojnë procesit të dialogut. Por ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.
Për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi “nuk ka arsye”.
Lajçaku mbërrin në Qeveri
(E përditësuar 08:35) - Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në objektin e Qeverisë paraditen e së premtes.
Lajçaku besohet se do të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përgatitjen e takimit me kryenegociatorët në Bruksel.
Lajçak sot në Kosovë
(08:12) - I dërguari i posaçëm për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që ta vizitojë Kosovën të premten (sot). Kësaj radhe, krahas Prishtinës, nuk është planifikuar ndonjë vizitë e tij edhe në Beograd.
Nuk është bërë e ditur se kur emisari sllovak do të mbërrijë në Prishtinë apo me kë do të takohet.
Kjo vizitë, siç është shprehur më herët edhe vetë Lajçak, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në kuadrin e dialogut në nivel të kryenegociatorëve.
Lajçak këtë e ka thënë në Pragë j, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi i Lajçakut me Vuçiqin duket të jetë arsyeja përse kësaj radhe zhvillon vizitë vetëm në Kosovë, por jo edhe në Serbi.
Emisari Lajçak ka mandat në këtë detyrë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, në kuadër të rolit si lehtësues i dialogut. Ai është dashur që më 1 shtator ta niste mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, por BE-ja ka vendosur që atij t’ia shtyjë mandatin e emisarit për dialog edhe për pesë muaj të tjerë në mënyrë që të mos ketë ndonjë boshllëk në kuadër të procesit të dialogut.
Përfaqësuesja e lartë e ardhshme e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë se kush do të jetë pasardhësi i Lajçakut, nëse do të ketë fare pasardhës të tij dhe si do t’i qaset Bashkimi Evropian procesit të dialogut.