Seanca fillestare për krime lufte ndaj të akuzuarit, Jusuf Shujak, është shtyrë për 13 shkurt. Zhvillimi i seancës për vrasjen e tre civilëve në Gjakovë u pamundësua, pasi mbrojtja e të akuzuarit nuk u pajis me shkresa të lëndës të përkthyera në gjuhën serbe. E megjithëkëtë, dëshmitari Dukagjin Dyla i shpalosi rrethanat se si ndodhën vrasjet në majin e 1999-s
Është shtyrë për 13 shkurt seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte në Gjakovë, Jusuf Shujak, shkaku i mospajisjes së mbrojtjes së tij me shkresa të lëndës, të përkthyera në gjuhën serbe.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e ngarkon Shujakun, boshnjak me kombësi, se ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë në Gjakovë, si dhe për dëbim dhe shkatërrim e plaçkitje të pronës së familjes Dyla nga kjo komunë, në majin e vitit 1999.
Prokurori Kastriot Memaj, e arsyetoi mungesën e shkresave të lëndës në serbishte me numrin e vogël të përkthyesve në prokurori.
E kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, konstatoi se shqyrtimi fillestar nuk mund të mbahet, pa i pasur i akuzuari të gjitha shkresat në gjuhën që e kupton.
“Ashtu siç tha edhe prokurori special, nuk janë përmbushur kushtet që seanca e sotme të vazhdojë”, ka thënë gjyqtari Shala.
Edhe
Shtyhet seanca për krime lufte në Gjakovë, shkak përkthimi
Për ta përcjellë seancën fillestare, para Gjykatës Themelore në Prishtinë u paraqit njëri nga dëshmitarët, Dukagjin Dyla.
E pasi seanca u shty, ai tregoi se në shtëpinë e tij, iu vra babai Muhamet Dyla, dhe dy të tjerë – Isa Lokaj e Cenë Hajdaraj. Ai tha se rastin e ka paraqitur në shoqatën që e udhëhiqte, Afrim Caka, menjëherë pas luftës.
Ai tha se në shtëpinë e tij ende i ka gjurmët e krimit të forcave serbe.
“Unë ende në shtëpi i kam shenjat nëpër qyngjet të ullukut kur i kanë vrarë, që i kanë pushkatu ata dy, Isën dhe Cenën”, ka thënë dëshmitari Dyla.
Mbetjet mortore të tri viktimave që u vranë nga forca serbe, sipas aktakuzës, u gjetën në vendtrajnimin e policisë serbe në Batajnicë, më 2001 e 2002. Lidhur me të akuzuarin Shujak, në aktakuzë thuhet se mori pjesë në vrasjen e tyre.
“Fillimisht i urdhëruan të dëmtuarit dhe viktimat që të dilnin në oborr, mirëpo brenda kishte mbetur Muhamet Dyla, pastaj me të dalë në oborrin e shtëpisë, një polic serb i ndalon viktimat Cenë Hajdaraj dhe Isa Lokaj dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet, pastaj njëri nga pjesëtaret e forcave serbe u kishte thënë ‘ah ju qenkeni UÇK’ dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i vret që të dy, kurse një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte Muhamet Dyla”, thuhet në aktakzuë.
Edhe
Mbrojtja lë pa nisur seancën për Masakrën e Mejës dhe atë për dëbimin e shqiptarëve
Në dokument thuhet po ashtu se forcat serbe, ku bënte pjesë i pandehuri, e detyruan familjen Dyla të largohej nga shtëpia, nën kërcënimin e armëve, e pasi i vranë tre civilët, e plaçkitën shtëpinë dhe më pas e dogjën.
Tre nga katër dëshmitarë, sipas aktakuzës, e kanë identifikuar të pandehurit në polici nëpërmjet fotografive. Në deklaratën në prokurori, i akuzuari ka thënë se ka qenë në Plavë ditën kur janë vrarë viktimat.