Është shtyrë seanca fillestare në rastin e Masakrës së Mejës, ku 53 persona akuzohen në mungesë për krime lufte.
Seanca nuk është zhvilluar të martën për shkak të mungesës së tre avokatëve mbrojtës. Trupi gjykues ka konstatuar se, në mungesë të tyre, nuk janë krijuar kushtet për vazhdimin e procedurës.
Gjyqtarja Violeta Namani-Hajra ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet më 25 shtator, në orën 08:30.
“Avokati Valon Hasani, avokatja Uresa Restelica dhe avokati Laur Prenaj nuk janë prezent. Nuk jemi në kushte për të proceduar tutje. Planifikoj që seanca e ardhshme të jetë më 25 shtator, ora 08:30”, ka thënë Namani-Hajra.
Gjykimi për këtë rast zhvillohet në mungesë, ndërsa të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Edhe
Dështon në nisje gjykimi për Masakrën e Reçakut
Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona. I dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, vetëm në fshatin Mejë janë vrarë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të figurojnë të pagjetur.