LAJMET E MBRËMJES

Ndërkombëtarët heshtin për dhunën ndaj politikanit serb që bëri homazhe në Prekaz

Në gjendje të rëndë shëndetësore e në rrezik për jetën raportohet të jetë politikani serb, Nikola Sanduloviq, pas rrahjes e burgosjes në Serbi. Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, ka thënë se Sanduloviqi akuzohet për nxitje të urrejtjes pas homazheve e kërkimfaljes për krimet e kryera të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Ndaj rastit të Sanduloviqit kanë heshtur ndërkombëtarët, por dhuna ndaj tij është dënuar prej autoriteteve në Kosovë

Milan Radoiçiqi, personi që ka organizuar sulmin terrorist në Banjskë, e është duke shëtitur i lirë në Serbi, është përmendur si njëri prej personave që e rrahën deri në paralizë politikanin serb, Nikola Sanduloviq. Familjarë të Sanduloviqit kanë thënë se ai ka identifikuar Radoiçiqin, në mesin e 15 zyrtarëve të tjetër të Agjencisë së Inteligjencës-BIA.

Tek ka ndarë hollësi në lidhje me situatën e politikanit serb, avokati i tij Çedomir Stojkoviq ka thënë se pasi është rrahur nga BIA serbe ai është dërguar në spitalin ushtarak e më vonë i është dorëzuar familjes në një ambulancë. Avokati Stojkoviq ka thënë se gjendja e politikanit serb është në rrezik pasi i njëjti edhe është burgosur.

“Ata po e marrin atë se Nikola vuri lule mbi varret e shqiptarëve! Është një akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris: akuza zyrtare dhe formale është se ai ‘përhap urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule mbi varret e shqiptarëve dhe duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e bëra’", ka shkruar Stojkoviq në platformën X.

“Ai përfundoi në spital në këtë gjendje të keqe, sepse pjesëtarët e sigurimit serb e kishin rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për të njëjtën arsye - sepse vendosi lule mbi varret e shqiptarëve në Kosovë”.

Avokati ka publikuar dokumentin që, sipas tij, është urdhri i Prokurorisë së Nishit për arrestimin e opozitarit Sanduloviq. Sipas dokumentit që mban datën 5 janar, Sanduloviqi akuzohet për nxitjen e urrejtjes​ dhe jotolerancës kombëtare, racore e fetare. Aty citohet postimi i kërkimfaljes së politikanit serb për krimet e Serbisë në Kosovë.

Opozitari Sanduloviq është raportuar i zhdukur për disa orë të mërkurën, një ditë pasi në platformën “X” publikoi video duke bërë homazhe në kompleksin e familjes Jashari në Prekaz.

Heshtin ndërkombëtarët, Kamberi: Situatë e çuditshme

Në lidhje me rastin e opozitarit serb kanë heshtur ndërkombëtarët. As Bashkimi Evropian e as Ambasada e SHBA-së në Serbi nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS në lidhje me rastin, teksa reagime të premten nuk ka pasur as në platformat e tyre online. Reagim nuk ka pasur as nga liderët e Serbisë.

Heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare por edhe të opozitës në Serbi, Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e konsideron të çuditshme.

“Kjo që po ndodh është produkt i një politike shtetërore që është ndjekur nga regjimi i Vuçiqit nëpërmjet mediave të tij dhe nëpërmjet të gjitha resurseve ku në njërën anë glorifikohen njerëz të krimit dhe nëntokës dhe në anën tjetër njollosen opozitarët dhe kjo fatkeqësisht po vazhdon në heshtjen apo një lloj tolerimi nga ana e BE-së dhe Perëndimit për arsye natyrisht gjeostrategjike dhe gjeopolitike”, ka thënë ai.

Tek flet për dyshimet se Radojçiqi ka qenë pjesë e sulmit ndaj opozitarit Sanduloviq, Kamberi thotë se situata vazhdon të jetë e paqartë dhe se duhet të shihet se cila do të jetë e vërteta.

Por, për të lënia në liri e Radojçiqit, pasi pranoi organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, përveç për rajonin përbën rrezik edhe për kritikën e pushtetit në Serbi.

“Dhe në këtë drejtim kjo është një pjesë përbërëse e situatës skizofrenike në Serbi e cila si një vend kandidat për Bashkim Evropian ka një tolerim të jashtëzakonshëm faktikisht edhe rreth qarqeve kriminale të krimit të organizuar por edhe në anën tjetër toleron dhe glorifikon figura si z. Radojçiqi apo edhe kriminelë të tjerë, përderisa në anën tjetër njollos çdo kritikë, çdo opozitar, çdo zë i cili në Serbi e promovon një Serbi tjetër nga kjo aktuale”.

Dhuna brutale ndaj politikanit serb dënohet nga liderët shtetërorë të Kosovës

Sulmi ndaj Nikola Sanduloviqit është dënuar nga autoritetet në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se sulmi ndaj liderit opozitar është i ngjashëm me atë që presidenti rus bën ndaj atyre që refuzojnë të mohojnë gjenocidin.

“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe ua imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut (KEDNJ) dhe një sulm të ngjashëm me atë të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit.”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Thirrje për reagim komunitetit ndërkombëtar i ka bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”, ka shkruar Konjufca në Facebook. “I bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona. Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, ka shkruar më tej ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Serbia është ende në vitet ‘90 dhe larg normalizimit.

“Atje i vetmi opozitar, Sanduloviq, rrihet dhe përpiqet të eliminohet vetëm sepse e pranon të vërtetën e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt”, ka theksuar Haxhiu.

Për rastin e Sanduloviqit ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai ka shkruar se Serbia është duke kaluar kufijtë e autokracisë e është duke u shndërruar në shtet policor.

“Ky është edhe një rast që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimit të Kosovës shtet, të pranosh fajin për vrasjet dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë, të sulmosh vlerat antievropiane që po i propagandon Beogradi zyrtar, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit”.

Sanduloviqi është marrë nga BIA serbe një ditë pasi në platformën X kërkoi falje për krimet e kryera ndaj familjes Jashari në Prekaz, tek publikoi edhe një video duke bërë homazhe në kompleksin memorial.