“Sot miliona polakë e gjermanë në bashkëpunim të ngushtë në çdo fushë të mundshme, së bashku formojnë shtyllën kurrizore të Evropës së lirë. Fëmijët e martesave të tyre të përziera shijojnë përfitimet e kësaj paqeje të krijuar, me gjithë historinë e rëndë. 26 vjet pas luftës në Kosovë, si lufta e fundit në Ballkan, vendi im arreston dhe rrah njerëzit që vënë lule në varret e fëmijëve shqiptarë të vrarë dhe duan pajtim mes kombeve. Kjo është një shenjë që nuk guxojmë ta injorojmë”, ka thënë avokati Stojkoviq, pas vizitës në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz
“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra të cilat fillojnë me fjalën më fal”, është mesazhi i shkruar në gjuhën shqipe, atë serbe dhe angleze, të cilën Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, e ka vendosur mbi varrin e Blerina Jasharit.
Këtë Stokjoviqi e ka bërë gjatë homazheve që ka realizuar të enjten në kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz. Blerina Jashari, njëra nga vajzat e familjes së Adem Jasharit, ishte veç shtatëvjeçare kur është vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së 26 vjetëve më parë në Kosovë.
Për vrasjen e saj dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së saj nga forcat serbe pati kërkuar falje edhe Sanduloviqi, kur gjatë vitit të shkuar bëri homazhe te Jasharët. Ky veprim i ka kushtuar me arrestim dhe me rrahje brutale nga pjesëtarët e BIA-s serbe, mes të cilëve familjarët e tij kanë pretenduar të ketë qenë edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe organizatori i sulmit në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq.
E të enjten, Stojkoviqi e ka ngritur çështjen tek ka vendosur lule në varret e të vrarëve shqiptarë.
“Është paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur dhe se po pret momentin që të zgjohet sërish. Kjo e keqe tash po punon që ta vrasë shpresën se është e mundur e ardhmja jonë e përbashkët kualitative”, ka thënë ai.
Edhe 26 vjet pas luftës në Kosovë, avokati Stojkoviq ka thënë se Serbia i arreston dhe i rrah të gjithë ata që e synojnë pajtimin midis kombeve.
“Sot miliona polakë e gjermanë në bashkëpunim të ngushtë në çdo fushë të mundshme, së bashku formojnë shtyllën kurrizore të Evropës së lirë. Fëmijët e martesave të tyre të përziera shijojnë përfitimet e kësaj paqe të krijuar, me gjithë historinë e rëndë. 26 vjet pas luftës në Kosovë, si lufta e fundit në Ballkan, vendi im arreston dhe rrah njerëzit që vënë lule në varret e fëmijëve shqiptarë të vrarë dhe duan pajtim mes kombeve. Kjo është një shenjë që nuk guxojmë ta injorojmë”, ka thënë ai.
Vizitën në Prekaz, disa muaj pas asaj të opozitarit Sanduloviq, Stojkoviq ka theksuar se e ka bërë për t’i dëshmuar regjimit në Serbi se nuk mund t’ua ndalojë qytetarëve ndjekjen e rrugës së pajtimit, paqes dhe drejtësisë.
“Nëse shteti im e arrestoi dhe e rrahu Nikola Sanduloviqin për shkak se vendosi lule në këtë vend, i vetëdijshëm dhe me vlerësimin e tij, tash shteti im e ka mundësinë që të më arrestojë edhe mua dhe që t’i tregojë botës se ka një rregull të ri, sipas të cilit nëse vendosni lule të pajtimit në varre të kombësive të tjera është e ndëshkueshme me burgim. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet t’i shpjegojnë botës pse lulet e mia janë ndryshe nga ato të Nikolas, apo lulet e të gjithë të tjerëve, dhe pse jam përjashtim që nuk arrestohem", ka thënë ai.
Tek ka folur për Sanduloviqin, avokati ka thënë se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, porse ka mbetur i paralizuar në njërën anë të trupit shkaku i rrahjeve që ka përjetuar. Ani se tani është liruar nga burgimi, ai ka thënë se Sanduloviqi nuk është në liri, pasi që i është sekuestruar pasaporta nga autoritetet serbe.
Opozitari serb ishte marrë nga BIA serbe një ditë pasi që në platformën X ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj familjes Jashari në Prekaz, tek ka publikuar edhe një video nga homazhet që ka kryer në kompleksin memorial “Adem Jashari”. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore e fetare, derisa i është caktuar edhe masa e paraburgimit prej një muaji. Ai është liruar të hënën nga paraburgimi.