LAJMET E MBRËMJES

E bija e Sanduloviqit bën homazhe në Prekaz

Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe në Prekaz. “Të respektojmë që të mos përsëritet më”, është mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit. Javë më parë, kryetari i Partisë Republikane Serbe u arrestua dhe ka thënë se është rrahur nga shërbimi sekret serb, vetëm për faktin që ka vizituar Prekazin. Edhe e bija e tij tha se mund ta presë një fat i ngjashëm.

Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ndoqi shembullin e babait. Ajo të shtunën bëri homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin memorial në Prekaz.

“Të respektojmë që të mos përsëritet më”, është mesazhi që la, së bashku me kurora lulesh, pas përkuljes te varrin e Blerinës.

Sanduloviq tha se shpreh ngushëllime për viktimat e pafajshme, njësoj siç bëri i ati i saj një vit më parë, e që tash po u nënshtrohet torturave të autoriteteve të Serbisë.

“Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehu ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës dhe ky ishte një akt shumë paqësor dhe Qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim dhe kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që sot vendosa të bëhem njësoj kriminele si babai im dhe vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e pafajshme dhe për të rritur ndërgjegjësimin e brezit tim”, ka thënë ajo në Prekaz. “Ne duhet ta ndalojmë urrejtjen dhe ta falim njëri-tjetrin, e gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjërat si ato në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë nuk duhet të vritet në të ardhmen”.

Javë më parë, kryetar i Partisë Republikane të Serbisë u arrestua dhe ka thënë se është rrahur nga shërbimi sekret serb, shkaku i homazheve te varret e anëtarëve të familjes Jashari.

E, vajza e tij tha se është kureshtare të shoh se çfarë do të ndodhë me të pasi të kthehet në Serbi.

“Unë do të doja të shihja se çfarë do të bënte Qeveria serbe në lidhje me këtë sepse për këtë veprim, babai im u rrëmbye nga policia sekrete serbe, u rrah brutalisht, u torturua dhe u fut në burg. Ai u kthye në shtëpi gjysmë i paralizuar, në gjendje të tmerrshme dhe gjysmë i vdekur. Nuk e di se çfarë trajtimi do të kem nga Qeveria serbe për këtë dhe do të doja të shihja nëse Qeveria e Serbisë do të bëhet fashiste, do të na rrahë të gjithëve dhe do të na fusë në burg të gjithë apo ky është trajtim vetëm për babanë tim, gjë që e bën atë viktimë politike në vendin e tij”, ka thënë ajo.

Sanduloviqi është shoqëruar nga nënkryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Mihajllo Todiq, i cili përsëriti kërkimfaljen e kryetarit të partisë, për krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.

“Ndiej keqardhje të thellë për secilën viktimë të pafajshme të cilitdo popull, besimi apo orientimi politik dhe lutemi që me kërkimfaljen tonë të gjithë të jenë më të mëdhenj sesa kryerësit e së keqes që na ka poshtëruar. Jemi të vetëdijshëm që me akuzat e ndërsjella, me manipulimin e së vërtetës historike, me interpretimin e ngjarjeve të luftës për qëllime ditore politike, me ofendime dhe me poshtërime shkaku i përkatësisë kombëtare apo fetare, bëhemi të burgosur të së shkuarës dhe humbës të së tanishmes”, ka thënë Todiq. “Detyrë jona është që pa mendime hakmarrëse dhe ndjenjë të urrejtjes të ruajmë kujtimin për viktimat tona të pafajshme, të shërojmë shpirtrat e lënduar, të ndërtojmë besimin dhe mirëkuptimin mes individëve dhe popujve”.

Ai ka theksuar se Ballkani Perëndimor meriton paqe dhe se popujt e vendeve të rajonit duhet të pajtohen, t’ia falin njëri-tjetrit dhe të kthehen kah e ardhmja.

“Sinqerisht pres që ky gjest yni, me qëllim të faljes dhe pajtimit si dhe vlerësimit të ndërsjellë, do të prekë edhe liderë të tjerë politikë në rajon, se edhe ata do të gjejnë guximin që në mënyrë të përshtatshme t’u kushtojnë nderime viktimave të popujve të tjerë”, ka thënë Todiq. “Duhet të kuptojmë se urrejtja nuk është kolektivisht e lindur në asnjë popull apo fe. Urrejtjen e krijojnë individët. Kur të lirohemi prej këtyre individëve, dhe në pushtet të vijnë njerëz si Nikola Sanduloviq, kur shoqëria jonë kalon përpara riintegrimit nëpër procesin e shërimit dhe rimëkëmbjes, nëpërmjet terapisë kolektive të spastrimit të urrejtjes së akumuluar, atëherë mund të presim lulëzim të marrëdhënieve tona të ndërsjella”.

Pas arrestimit të Sanduloviqit, edhe avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, në janar bëri homazhe te varrezat e Jasharëve. Gjatë kthimit në Serbi, edhe ai u ndalua nga autoritetet e këtij shteti.