Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe EFTA-së, e nënshkruar më 22 janar të këtij viti, sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përbën një sukses për ekonominë e vendit.
Sipas Hajdarit, Kosova përfiton në shumë aspekte përmes kësaj marrëveshjeje, sidomos në tregtinë e shërbimeve.
“Një arritje vërtetë e madhe që konfirmon synimin dhe përkushtimin tonë për rritjen dhe integrimin e industrisë tonë në tregun ndërkombëtarë, rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave kombëtare, qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe mirëqenien për qytetarët tanë”, ka thënë Hajdari të hënën në një konferencë për media.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit në Departamentin e Tregtisë në këtë ministri, Bubulina Gashi, ka thënë se me këtë marrëveshje largohet tarifa e taksës doganore për produktet e Kosovës në vendet e EFTA-së.
“Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, produktet me origjinë nga Kosova janë të liruara në vendet e EFTA-së, pra taksa doganore largohet plotësisht me hyrje në fuqi të marrëveshjes për produktet nga Kosova”, ka thënë ajo.
Ndërsa zyrtari i lartë për koordinim të politikave në MINT, Haki Huruglica, përmendi produktet që përjashtohen nga lirimi i taksave për eksport në shtetet e EFTA-s.
“Eksportet në Zvicër dhe në Lihtenshtajn nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, shumica e produkteve bujqësore dhe ushqimore do të mund të eksportohen në këto dy vende pa paguar takime doganore. Përjashtim nga ky lirim bëjnë mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit jashtë kuotave të përcaktuara, produktet bulmetore dhe produkte e ngrënshme me origjinë prej kafshëve, perimet e ngrënshme jashtë kuotave të përcaktuara”, ka thënë Huruglica.
Në EFTA bëjnë pjesë katër shtete: Zvicra, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia.