LAJMET E MBRËMJES

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë: Për bashkëpunim ushtarak, nuk kemi nevojë t’i marrim leje askujt

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, u është përgjigjur kritikave të Beogradit zyrtar në lidhje me aleancën ushtarake mes vendit të tij dhe Kosovës e Shqipërisë. Ai të hënën ka thënë se asnjë prej këtyre shteteve nuk kanë nevojë t’i kërkojnë leje askujt dhe se projektet e përbashkëta do të vazhdojnë

Marrëveshja në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë nuk është e drejtuar ndaj askujt, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.

Në një konferencë për shtyp të hënën, teksa iu përgjigj pyetjeve në lidhje me reagimet e Serbisë për këtë aleancë, ai tha se për një gjë të tillë nuk ka pse t’i kërkohet dikujt leje.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative”, tha Vengu.

Muaj më parë Kosova, Shqipëria e Kroacia arritën marrëveshje për aleancë në fushën e mbrojtjes e ndërkohë u zbulua edhe plani për ndërtim të përbashkët të automjetit të blinduar i emërtuar “Shota”, e që ka nisur të zhvillohet si projekt në Tiranë.

Sipas Vengut, pos kësaj, tri shtetet kanë nisur bashkëpunimin edhe në aspektet stërvitore e akademiko-arsimore.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa u përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: E para, sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendjeje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje për sa i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkohen. Është partneritet i hapur”, tha ai.

Tri shtetet nismëtare është raportuar se i kanë bërë ftesë për pjesëmarrje në këtë aleancë edhe Bullgarisë.