Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë: Siguria e Kosovës e garantuar nga aleanca më e fortë në botë

Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes në Shqipëri,

Foto: Arkiv

Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes në Shqipëri, ka thënë se siguria e Kosovës është e garantuar nga aleanca ushtarake më e fortë në botë, për aq sa misioni i KFOR-it vazhdon të jetë aktiv.

Në një deklaratë për media pas mbledhjes së Qeverisë të enjten, Nufi është pyetur për stërvitjet që Ushtria e Serbisë po kryen në kufi me Kosovën.

“Së pari Republika e Serbisë i mitigon të gjitha rreziqet që ajo i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën në të cilën bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, që është më e forta në botë. Qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt se e gjithë doktrina, e gjithë përgatitja jonë është në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n dhe në këtë pikë siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe siguria e Republikës së Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë”, ka thënë Nufi.

Ai ka thënë se shqetësimet që mund të perceptohen në rajon, për Shqipërinë përkthehen vetëm si qasje e koordinimit me aleancën dhe partnerët.

Për stërvitjet e Ushtrisë së Serbisë kanë reaguar edhe autoritetet e Kosovës. Ato e kanë cilësuar provokim. Megjithatë, KFOR-i ka thënë se ato janë aktivitete rutinë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Edhe Kosova dhe Shqipëria zotohen për bashkëprodhim të arsenalit ushtarak Arbëri Kosova dhe Shqipëria zotohen për bashkëprodhim të arsenalit ushtarak

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka thënë pa ndërlidhur fakte se një marrëveshje e vitit të shkuar në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për bashkëpunim ushtarak, është e drejtuar kundër Serbisë. Madje ai ka thënë se “Serbia po përgatitet për sulm të mundshëm nga kjo aleancë”.

Përherë, ky pretendim është hedhur poshtë nga udhëheqësit e tri shteteve të aleancës. Të tria shtetet kanë bërë të qartë se marrëveshja nuk është kundër askujt dhe as kërcënim për integritetin territorial të ndokujt.