Ministri i Mbrojtjes së Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë dhënë zotimin në Prishtinë për bashkëprodhim të arsenalit ushtarak. Ata nuk treguan se në cilat projekte do të bashkëpunohet, ndërkaq injoruan deklaratat e presidentit serb, rreth aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci
Garda e Forcës së Sigurisë është rreshtuar për t’i bërë pritje ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, të premten.
Ai është pritur nga ministri Ejup Maqedonci dhe të dy kanë shprehur zotimin për bashkëprodhim në prodhimin e arsenalit ushtarak.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Diskutuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm për kohën në të cilën po jetojmë dhe në ditët e muajt në vijim do të punojmë më gjerësisht edhe më thellësisht në identifikim e mundësive për bashkëpunim në këtë fushë”, ka thënë Maqedonci.
Ministrat kanë injoruar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili këtë javë ka thënë më herët se do ta pajisë ushtrinë me platforma robotike e edhe do të formojë divizione e batalione të dronëve për sulme në distanca të gjata, për t’iu kundërvënë aleancës Kosovë-Shqipëri-Kroaci.
Por, ministri Nufi ka thënë se ka përcjellë në NATO shqetësimet për situatën e sigurisë në rajon.
“Shqipëria e ka ngritur shqetësimin e sigurisë në rajon, veçanërisht sigurisë në Kosovë. Kemi shprehur shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë, duke e theksuar që situata e sigurisë në Kosovë është drejtpërdrejt situatë e sigurisë për Republikën e Shqipërisë dhe çdo zhvillim dhe çdo implikim i mundshëm në Kosovë sjell një shqetësim në Republikën e Shqipërisë në aspektin e sigurisë”, ka thënë Nufi.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ka prezencë edhe në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ministri Maqedonci është shprehur se Kosova pret të anëtarësohet në NATO, dhe se ndihmë në këtë rrugë janë duke dhënë edhe aleatët nga rajoni.
“Unë jam falënderues ndaj ministrit për gjithë gatishmërinë, për të mbështetur Kosovën edhe në rrugën e integrimit në NATO për promovimin e Kosovës në kuadër të NATO-s dhe organizmave të tjerë që e bën Shqipëria, por në veçanti ministri i Mbrojtjes, si dhe në bashkëpunimin që kemi regjional edhe me Kroacinë edhe me Shqipërinë në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni që kanë shprehur zotimin të dërgojnë trupa në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Ministri Nufi ka thënë se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen.
“Jemi akoma duke e shqyrtuar dhe duke e vëzhguar territorin ku mund të vendosën trupat tonë. Besoj që në të ardhmen do të jemi në gjendje të ju japim edhe një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, si do të shkojnë”, ka thënë Nufi.
Këtë javë, ministri Nufi ka takuar edhe homologun e tij kroat, zhvillim që nxiti edhe reagimin e Vuçiqit për aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci.