Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Mijëra qytetarë nderojnë dëshmorët në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit

Gllogjan

Qëndresën e UÇK-së më 24 mars 1998, në Gllogjan të Deçanit, të martën e përkujtuan mijëra qytetarë. Kulla e Haradinajve priti mysafirë nga e gjithë Kosova, e te varret e dëshmorëve u bënë homazhe nga qytetarë e bashkëluftëtarë të tyre. E ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se edhe pse rrugëtimi drejt përballjes së armatosur me Serbinë ishte i vështirë, epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve

Dyert e kompleksit memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, të martën, në Ditën e Epopesë së Dukagjinit, u hapën për mijëra qytetarë që ia mësynë për të nderuar e kujtuar të rënët në betejën e parë frontale mes forcave të UÇK-së dhe atyre serbe, më 24 mars 1998.

Familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, vendosën lule e bënë homazhe pranë vendit të atyre që sakrifikuan për lirinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përjetimet e sakrificën që i jetoi 28 vjet më parë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare, Xhafer Sejfijaj thotë se e ka nderin t’i tregojë para brezave të rinj në cilësinë e ciceronit, në këtë memorial.

“Nderi më i madhi që m’u ka bo naj herë në jetën time, ka qenë emërimi si ciceron në Kompleksin Memorial. Ka shumë prej të rinjve që vijnë prej të gjitha zonave të Kosovës. Iu tregojmë për luftë dhe UÇK-në, janë shumë të interesuar me ditë, bëjnë pyetje të paimagjinueshme dhe thua ku i dinë të gjitha këto informata”, ka thënë Sejfijaj.

Vështirësitë që i përjetoi në luftë, Bardhec Hajdaraj i përmblodhi në një libër të titulluar “Plagët dhe Këngët e Lirisë”.

“I kam diku rreth 70 faqe si kujtim për ato ditë të vështira se si UÇK-ja ka marrë veprime për 24 marsin, për Jasharët në Prekaz. Ky libër më ka sjellë një emocion të madh, që me lexu edhe brezat e rinj që vijnë”, ka thënë ai.

E Islam Qesaj, i cili tha se çdo vit bën homazhe në Gllogjan, pati një porosi për brezat e rinj.

“Duhet të jepen mësime në shkolla këto data që janë të lavdishme dhe çdo i ri ta kujtojë këtë datë dhe të mos harrojë asnjëherë”, ka thënë Qesaj.

Ndërsa ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, para të pranishmëve tha se rrugëtimi drejt përballjes me Serbinë ka qenë i gjatë dhe i vështirë.

“Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me shqiptarët, si do të shkojë më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar betejë frontale mes forcave të UÇK-së dhe atyre serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Himë Haradinaj dhe Gazmend e Agron Mehmetaj.