Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

28-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, nderohen dëshmorët e rënë në betejën e Gllogjanit

Gllogjan

Sakrifica e dëshmorëve të rënë në betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan u përkujtua të martën në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

Në këtë ditë, në përballjen frontale mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe që kishin rrethuar Gllogjanin, ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, derisa ka bërë homazhe, ka thënë se Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet një vatër e rezistencës, por sipas saj, ndodhi e kundërta.

“Familja Haradinaj, së bashku me luftëtarët tjerë të lirisë, me kontributin e tyre e çanë rrethimin dhe dëshmuan se përpjekja për liri as nuk rrethohet, as nuk ndalet dhe as nuk thyhet. Sot nderojmë Gazmend Mehmetajn, Agron Mehmetajn dhe Him Haradinajn. Kujtojmë dhimbjen e familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës, sikurse edhe lartësojmë veprën e tyre sublime. Sot këtu, i falënderohemi me përulësi secilit dhe secilës ushtare të lirisë që me kontributin e tyre e çliruan vendin tonë dhe bënë që sot ne të jetojmë të lirë në një shtet të pavarur. Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi martirëve”, ka thënë ajo, raportoi EO.

Qytetari Ragip Gegaj ka thënë se kjo ditë ka domethënie të veçantë për popullin e Kosovës dhe se sakrifica e dëshmorëve nuk duhet harruar.

“Këto nuk duhet të harrohen me breza. Sa të harrohen më shumë këto, më keq është për ne. E këto sende janë shumë të rëndësishme. Për ne nuk ka, nuk ka festë më të madhe për popullin e Kosovës. E është shumë e mirë mos t’u harruar”, tha ai.

Gani Çeku nga fshati Irzniq ka deklaruar se vizitat dhe homazhet në këtë vend janë privilegj për çdo qytetar.

“Këtu ne jemi të privilegjuar sa herë që vijmë këtu dhe bëjmë vizita, homazhe. Vendi i shenjtë, jo vetëm për mua, po për krejt popullin e Kosovës. Prekazi edhe Gllogjani. Unë jam shumë, shumë krenar që vizitoj këto varreza të dëshmorëve”, është shprehur ai. 

Edhe Shefqet Demhasaj nga Carrabregu ka theksuar rëndësinë e kësaj date për të gjithë Kosovën, e sidomos për Dukagjinin.

“Kjo do të thotë, për mendimin tim, është e rëndësishme për krejt Kosovën, e sidomos për Dukagjinin. Se këtu është bërë faktikisht një rezistencë e madhe, kanë dhënë jetën shumë dëshmorë për Kosovën. Që populli ynë, të jetë i lirë, të jetë ashtu siç duhet. E Dukagjinit ia ka me borxh tërë Kosova, me luftën që është bërë në ’98-n, në ’99-n, që është ditë e shenjtë jo vetëm për Dukagjinin po për tërë Kosovën”, tha ai.

Haradinaj në përvjetorin e Epopesë së Dukagjinit kujton sakrificat dhe betejat vendimtare

1 muaj më parë / 24 mar 2026 13:47
Ramush Haradinaj

Në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, rrugëtimi drejt përballjes së armatosur me Serbinë ka qenë i gjatë dhe i vështirë.

Në ceremoninë ku është shënuar 28-vjetori i Epopesë, Haradinaj ka përmendur sakrificat dhe ngjarjet që i paraprinë luftës së hapur.

Ai ka përmendur vrasjen e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha. Pastaj vrasjen e Luan Haradinajt e të Ardian Krasniqit.

Gjithashtu ka përmendur edhe masakrën e Reçakut e përballjen e komandanti Adem Jashari dhe familjes së tij me Serbinë, për të cilën ka thënë se është unike.

Haradinaj ka thënë se për Gllogjanin ka qenë e vështirë të mendohet se si do të shkonte përballja e radhës.

“Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me ne, por çka ndodhi me shqiptarët, si do shkojë më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve. Edhe pse tre nga ne u vranë, mirëpo rezultoi se shqiptarët e fituan këtë luftë”, u shpreh Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Ai në këtë ceremoni ka ndarë mirënjohje për kontributin e veçantë dhe meritat e jashtëzakonshme në avancimin e çështjes kombëtare, për gjeneralin Kudusi Lama. Atë e ka dekoruar me medaljen “Me besim në Zot, atdhe e shtet”.

Gjenerali Lama e ka cilësuar përballjen e 24 marsit në Gllogjan me Serbinë si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare.

“Një nga qasjet më të rëndësishme të luftës sonë çlirimtare, të historisë së armatosur të rezistencës shqiptare në Kosovë, përballjen e lavdishme në Gllogjan më 24 mars – një përballje që nuk ishte e thjeshtë, një betejë ushtarake, një provë e madhe e karakterit, guximit, vendosmërisë së popullit shqiptar për liri. Një ngjarje që shënoi një kthesë të rëndësishme në rrjedhjen e luftës çlirimtare”, ka theksuar ai.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se historia e luftës duhet të shërbejë jo vetëm si krenari, por edhe si mësim për brezat e rinj.