Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Filmi i njohur “You’ve Got Mail” rikthehet me një version të ri

Skenë nga filmi “You’ve Got Mail” (1998)

Skenë nga filmi “You’ve Got Mail” (1998)

Komedisë romantike “You’ve Got Mail” (1998) do t’i realizohet një version i ri nga gjigandi “Warner Bros.”. Filmi do të drejtohet nga Jason Orley, i cili po punon aktualisht për skenarin, bazuar në një version të mëparshëm të shkruar nga Deborah Kaplan dhe Harry Elfont, ka shkruar Variety.

Traileri i filmit "You've Got Mail" (1998):

Detajet e historisë së re ende nuk janë bërë publike. Producentë të projektit do të jenë Neal Moritz dhe Tania Landau.

Filmi origjinal, me regji të Nora Ephron, kishte në rolet kryesore aktorët Tom Hanks dhe Meg Ryan. Historia tregon për Joe Foxin, pronarin e një rrjeti të madh librarish, i cili kërcënon biznesin e vogël të Kathleen Kellyt, një grua që zotëron një librari për fëmijë.

Edhe pse në jetën reale të dy kanë marrëdhënie të tensionuara, ata fillojnë të dashurohen pa e ditur identitetin e njëri-tjetrit përmes komunikimit në internet, në platformën e dikurshme AOL Messenger.

Filmi pati sukses të madh në kinema, duke arkëtuar rreth 250 milionë dollarë në mbarë botën, kundrejt një buxheti prej afërsisht 65 milionë dollarësh.

“You’ve Got Mail” ishte frymëzuar nga drama “Parfumeria” (1937), e autorit Miklos Laszlo, e cila më herët ishte përshtatur edhe në filmin klasik “The Shop Around the Corner” (1940).

Jason Orley njihet gjithashtu si regjisor i filmave “Big Time Adolescence” (2019) dhe “I Want You Back” (2022), si dhe i serialit “Bupkis”, me Pete Davidson.

Për momentin, nuk është bërë e ditur se cilët aktorë do të jenë pjesë e versionit të ri dhe as kur pritet të nisë xhirimi.