Pesë ditë pasi qëndroi në Tetovë e Çair, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar zhvillimin e një takimi në qytetin kryesor të banuar me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Në Tetovë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu. Pas takimit, Aliu e Ahmeti thanë se do të vazhdojë bashkëpunimi të cilin e cilësuan të mirë, dhe theksuan rëndësinë e realizimit të projektit rrugor që lidhë komunën e Tetovës me të Prizrenit.
Kryetari i partisë kryesore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, priti në Tetovë ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, pesë ditë pasi në Maqedoni qëndroi kryeministri Albin Kurti.
Vizita e kryeministrit ka nxitur reagime të shumta, meqë në agjendë pati takimet në dy komuna me shumicë shqiptare, të udhëhequra nga parti në opozitë.
Në konferencën pas takimit, Aliu e Ahmeti nuk folën mbi debatin e krijuar, por bënë të ditur se takimi u zhvillua me kërkesë të Kurtit.
“Vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës me qëllimin më të mirë për vazhdimin e komunikimit”, ka thënë Ahmeti.
“Takimin sapo e zhvilluam me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunimin e të dyja vendeve..”, ka thënë Aliu.
Që të dy theksuan se ka bashkëpunim të mirë mes të dyja shteteve, dhe vunë theksin te nevoja për ndërtimin e rrugës që lidh Tetovën me Prizrenin, për mbështetjen e të cilit projekt u zotua javën e shkuar edhe Kurti.
“...rrugët lehtësojnë qarkullimin, qarkullimi mundëson ekonomi më të zhvilluar e përparuar dhe besoj se ekipet ndërqeveritare merren seriozisht dhe aktivisht me këtë çështje që projektimi të mbyllet sa më shpejt e fillimi të ndodhë në kohë sa më të afërt”, ka thënë Ahmeti.
Edhe
Kurti çon ministrin Aliu për takim me Ali Ahmetin
“Përpos që lidh Prizrenin me Tetovën e lidh edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në pjesën e Republikës së Kosovës me pjesën e parkut nacional në anën e Maqedonisë. Zonat kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mundësi të zhvillimit ekonomik përmes turizmit si veror edhe dimëror”, ka thënë Aliu.
Asnjëri prej tyre nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.
Të premten e javës së shkuar, Kurti mori pjesë në riemërtimin e rrugës në Komunën e Çairit me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi”, e në përurimin e një rruge tjetër që lidh fshatrat e Tetovës. Gjatë qëndrimit të tij, Kurti nuk u takua me përfaqësues shtetërorë, e as të partive në pushtet.
-
Kurti përuron rrugë në Çair, premton realizimin e rrugës që lidh Tetovën me Prizrenin
-
Vizita e Kurtit nxit reagim te spektri politik shqiptar i Maqedonisë së Veriut
-
Bashkëpunimi mes Qeverisë e komunave, temë diskutimi e Kurtit me Hamzën dhe Atiqin
-
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut