Fitore të Bankës Qendrore dhe të Kosovës e ka quajtur guvernatori Fehmi Mehmeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në favor të institucionit që ai udhëheq, përkitazi me marrjen e licencës së institucionit mikrofinanciar, Iute Credit.
Ky institucion pati paditur Kosovën në Arbitrazh më 2020, pas vendimit të vitit 2019 për revokimin e licencës, shkaku i shkeljes së kushteve të saj me anë të aplikimit të normave të larta të interesit.
Në një konferencë për media rreth përmbylljes së rastit me Iute Credit dhe Monego, Mehmeti u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve financiare që i licencon, që t’u përmbahen ligjeve në fuqi.
“Norma mesatare efektive tek institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare ka rënë, nuk po them që…prapë mbetet e lartë. Mirëpo, duhet të kemi parasysh kushtet me të cilat operojnë këto institucione si rezultat i asaj që burimin kryesor të financimit e kanë nga jashtë, përmes linjave të kreditimit. Mirëpo, megjithatë, nuk dua t’i justifikoj normat e interesit në këto institucione. Ajo çka është kërkesë e jona në vazhdimësi është që jo vetëm këto institucione, por edhe institucionet e tjera financiare në vend të sillen karshi rregullave ligjore që janë në fuqi”, ka thënë Mehmeti.
Pas revokimit të licencave dhe mbylljes së filialeve, “Monego” e “Iute Credit” janë në procesin e likuidimit. E që nga nisja e mandatit të tij më 2018, Mehmeti ka thënë se licencat u janë revokuar tetë institucioneve të këtilla financiare.
“Një ndër prioritetet më të larta do ta kemi mbrojtjen e konsumatorit. Sa i përket procesit të likuidimit vazhdon në këto dy institucione procesi i likuidimit. Gjithashtu kemi edhe institucione të tjera që ua kemi marrë licencat, kompani të sigurimeve dhe institucione të tjera financiare e mikrofinanciare bankare e nëse nuk gaboj janë rreth tetë në tërësi që ua kemi marrë. Në theks të veçantë te këto dyja vazhdon procesi i likuidimit dhe vazhdon kthimi, e ju e dini që si bankë qendrore nuk ndërhyjmë në punën e likuidatorit, sepse përbën shkelje ligjore”, është shprehur Mehmeti.
Edhe
Mehmeti: Fituam 100% ndaj “Iute Credit”, devijonte nga plani me të cilin ishte licencuar
Likuidatori në rastin e “Iute Credit”, Eduard Bakija, ka thënë se rreth 30 mijë konsumatorë kanë pranuar shërbime nga ky institucion mikrofinanciar. Ai ka vlerësuar se kjo nënkupton që te të gjithë janë aplikuar norma të larta interesi, në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
Bakija ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë një deklarim rreth hapave të mëtutjeshëm rreth procesit të likuidimit dhe kthimit të pjesës së mbetur të borxheve.
Norma mesatare e interesit, në bazë të të dhënave të BQK-së, është 6 për qind në nivel të përgjithshëm e 18 për qind te institucionet mikrofinanciare.