Përgjatë nëntë muajve të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë rritur ndjeshëm normat e interesit për kredi. Kamatat kanë shkuar nga 6 në gati 7 për qind, që përbën rritje prej rreth 15 për qind. Ish-guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se rritja e normave të interesit lidhet me politikat e Bankës Qendrore, inflacionin dhe krizën institucionale
Afro 15 për qind është rritur norma mesatare e interesit të bankave komerciale për kredi nga janari i këtij viti e deri në shtator.
Derisa në janar norma mesatare e interesit ishte 6.01 për qind, në shtator është 6.9 për qind. Por, në disa banka ajo ka shkuar deri në 10 për qind, varësisht nga lloji i kredisë.
Të dhënat flasin edhe për rënie të vlerës së kredive të lëshuara në shtator. Derisa në shkurt vlera e kredive të reja ka qenë 230 milionë euro, në shtator ajo ka qenë 190 milionë euro.
Ish-guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se rritja e normave të interesit lidhet me politikat e Bankës Qendrore, inflacionin dhe krizën institucionale.
“Inflacioni i lartë shton edhe rrezikun e mospagesës nga qytetarët, sepse shpenzimet e tyre të përditshme janë më të larta. Kjo i shtyn bankat të kërkojnë primi më të madh të rrezikut dhe pastaj kemi kamata më të larta. Si përmbledhje do të kemi një lidhje inflacion-kapital-kamata”, ka thënë Mehmeti. “Inflacioni i lartë rrit rrezikun dhe ul vlerën reale të kthimeve. BQK-ja reagon, rrit kërkesat për kapital që bankat të jenë më të forta ndaj rreziqeve”.
Sipas tij, një ndikim të madh ka pasur edhe rritja e rezervave të detyrueshme që bankat duhet t’i mbajnë.
“Deri në këtë vit, bankat kishin minimum 8 për qind ose 12 për qind kapital në raport me asetet e rrezikuara. Nga ky vit, BQK-ja e ka rritur këtë në 10 për qind dhe 14 për qind. Në këtë rast bankat duhet të mbajnë më shumë kapital rezervë për çdo kredi që japin. Kjo do të thotë se kanë më pak hapësirë për të dhënë kredi të reja, sepse në këtë rast kostoja e kapitalit rritet dhe se aksionarët ose bankat mëma duhet të investojnë më shumë para në Kosovë për të mbajtur normat e reja, dhe kur normat e interesit rriten, për të kompensuar këtë ‘bllokim kapitali’, bankat i transferojnë kostot te klientët përmes kamatave më të larta”, ka thënë ish-guvernatori Mehmeti.
E në Bankën Qendrore thanë se kanë vendosur një shtesë prej 2 për qind mbi asetet me rrezik.
“Shtesat e kapitalit shërbejnë për qellim të fuqizimit të sektorit bankar, përkatësisht aftësisë së bankave për t’u përballur me rreziqe, në situata të caktuara”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.
Sipas këtij institucioni, rritja e kreditimit në gjysmën e parë të vitit 2025 ka qenë më e përshpejtuar krahasuar me vitin paraprak, në veçanti në muajin maj, kur kreditimi është rritur me rreth 21 për qind krahasuar me majin e 2024-tës.
Por, rritje sipas BQK-së pati edhe në muajt pasues, në nivel deri në 18 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.