Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Kosova, mjedis i favorshëm për bankat – rrisin tarifat

Paratë

Rezana Bozhlani

 

Disa shërbime për qytetarët janë shtrenjtuar nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ndërkohë që sipas ekonomistëve, ky vend ofron mjedis të favorshëm të funksionit duke u mundësuar fitim për 3.5 herë më të madh se në vendet e Bashkimit Evropian. Por, në BQK thanë se, meqë Kosova është treg i lirë, përcaktimi i tarifave nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes. Nga to, njëra ka paralajmëruar tarifa të reja për klientë të rinj, nga data 1 tetor. Pakoja e avancuar që është 5 euro, do të shtrenjtohet për tri euro ndërkaq për pakon standard+ do të paguhet 3.99 euro. Ndërkaq një bankë tjetër komericale ka ngritur çmimin për tërheqjen e parave në bankomate jashtë degës së saj. Shërbimi për tërheqje ka kushtuar 20 centë, e tani do të jetë më shumë se dyfishi, 48 centë.

Në Shoqatën e Bankave të Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje për arsyet që kanë shtyrë bankat t’i ndryshojnë tarifat e shërbimeve për klientët. Kurse, qëndrimi i BQK-së është se meqë Kosova është treg i lirë, tarifat përcaktohen nga vetë bankat komerciale dhe nuk janë subjekt i aprovimit nga ky institucion.

“Në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullative, BQK kërkon që tarifat të jenë të shpalosura në mënyrë transparente, të bazuara në metodologji të arsyeshme dhe të lidhura me koston e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve bankare”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë Fidan Qerimi thotë se vendimet e bankave në Kosovë bien në kundërshtim me tregun e lirë.

“Një treg i lirë nuk nënkupton që akterët në treg mund të veprojnë sipas dëshirave të tyre, por një treg i lirë nënkupton që ka një mbikëqyrje të konkurrencës, pra një treg i lirë nënkupton që çmimet të formohen nën presionin e konkurrencës reale”, ka thënë Qerimi.

Edhe Fluturojnë kamatat Ekonomi Fluturojnë kamatat

Sipas Qerimit situata e sektorit bankar në Kosovë është komplekse, për shkak të përfitimeve që sipas tij janë shumë të larta.

“Sektori bankar në Kosovë është jashtëzakonisht profitabil. Domethënë shumë më profitabil, përafërsisht 3.5 herë më shumë se tregu evropian, dhe ky ndryshim, kjo rritje e tarifave për mua është një alarm, që BQK-ja duhet të shohë a është konkurrenca e mjaftueshme në treg”, ka thënë Qerimi.

Të hyrat e bankave nga tarifat vazhdojnë të jenë të konsiderueshme. Sipas të dhënave të prezantuara në raportet e pesë bankave për tre muajt e parë të këtij viti, të hyrat nga komisionet kanë arritur mbi 24.6 milionë euro.