Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se Kosova ka arritur të marrë një epilog 100 për qind në favor të vendit, nga Gjykata e Arbitrazhit në rastin ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”.
Mehmeti ka thënë të shtunën në një konferencë për media, se ky institucion operonte jashtë planit me të cilin ishte licencuar.
“Gjatë periudhës së operimit të “Iute Credit” në Kosovë ky institucion ën vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit, duke i sjellë kështu tregut diçka tjetër prej asaj çka kishte premtuar. Banka Qendrore ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në këtë institucion. Ekzaminimet e BQK-së kishin evidentuar një varg shkeljesh të mëdha dje se normat e interesit që me të cilat kishte operuar ky institucion ishin jashtë çdo standardi. Ky devijim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se me veprimtarinë e tij kishte rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe se me këtë kishte rrezikuar stabilitetin financiar në vend”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, “Iute Credit” vepronte në kundërshtim me Ligjin për Investime të Huaja.
“Nuk do të lejojmë asnjëherë operimin e atyre institucione që nuk zbatojnë kërkesat rregullative", ka sqaruar Mehmeti.
Në bazë të mostrave të kredive që i kishte vlerësuar Banka Qendrore, pavarësisht se i kishin reduktuar normat, ‘Iute Credit’ e ‘Monego’ kanë mbajtur interes prej 80 deri në 236 për qind. ‘Iute Credit’ e kishte konsideruar veprimin e padrejtë e në kundërshtim me Ligjin për Investimet e Huaja, ndërsa ‘Monego’ kishte thënë se të vetmit që do të vuajnë pas vendimit janë qytetarët e Kosovës, pasi me kreditë e tyre i kanë kontribuuar ekonomisë së vendit.