Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mehmeti mohon punësimet politike gjatë mandatit të tij në BQK

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i ka mohuar pretendimet e ngritura për abuzime dhe shkelje ligjore nga një sinjalizues që në mënyrë anonime i ka drejtuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV ai ka thënë se të gjitha ato që janë shkruar në letër janë të pavërteta.

Mehmeti u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të bëjë hetime për çdo dyshim që mund të ketë dhe që të hetohen personat që i kanë ngritur pretendimet.

“Vetë fakti që është letër anonime është e pasaktë. Rastet e tilla, letrat anonime kemi në baza të rregullta. Derisa nuk ka emër e mbiemër nuk merremi. Për ato që janë përmendur në letër që janë të pavërteta janë interesa të një grupi të individëve, personave të caktuar që kanë synim për ta dëmtuar reputacionin e BQK-së për interesa personale e që nuk arrihet sepse si guvernator jam i obliguar ta mbrojë autoritetin ligjor dhe kushtetues”, tha ai.

Kur është pyetur për punësimet familjare të akterëve politikë në BQK, Mehmeti ka thënë se në mandatin e tij janë shtuar vetëm gjashtë punëtorë dhe se nuk përgjigjet për vitet kur nuk ka qenë ai në krye të bankës.

Edhe AKK-ja nis hetimet rreth pretendimeve për korrupsion në BQK Arbëri AKK-ja nis hetimet rreth pretendimeve për korrupsion në BQK

“Mund të verifikohet, më 2018 kanë qenë të punësuar 218 staf, kur kam marrë mandatin. Më 2022 janë 224. Vetëm gjashtë më shumë janë. Unë flas për përgjegjësitë e mia dhe flas në kuadër të mandatit tim”.

Ai mohoi ushtrimin e ndikimit në tenderë dhe dhënien e tyre për interesa personal.

“Asnjëherë në jetë kurrë nuk më ka interesuar as kur është shpallë procesi, as kur formohet komisioni pranues as vlerësues, as kush është zgjedhë. E kuptoj një gjë, që përgjegjësia menaxheriale nuk bartet, por asnjë ankesë nuk e kam pranuar”.

Mehmeti u përgjigj edhe për doktoraturën e tij për të cilën në letër u tha se e ka blerë.

Edhe BQK-ja thotë se sistemi financiar është stabil, deputetët ankohen për norma të larta të interesit Arbëri BQK-ja thotë se sistemi financiar është stabil, deputetët ankohen për norma të larta të interesit

“Universiteti i Bullgarisë është i shtetëror, thuhet se e ka kryer rekord doktoraturën, por unë në vitin 1991 e kam kryer edhe Fakultetin Ekonomik rekord. Në shoqatën e kontabilistëve jam i certifikuar, rekord e kam kryer, edhe masterin rekord e kam kryer, edhe doktoraturën rekord e kam kryer. Mbi të gjitha, është universitet shtetëror. Kur jam punësuar guvernator nuk ka qenë kriter që të kryhet doktoratura. Pasi jam bërë guvernator, e kam regjistruar doktoraturën, nuk më ka vyejtur asgjë”.

Të enjten në mbrëmje, një letër anonime u dërgua në adresë të Agjencisë Kundër Korrupsion me pretendime për punësimin e dhjetëra personave, familjarë të politikanëve në vend, në vitet e fundit në BQK. Letra ka përmendur më shumë se 20 emra, e sipas shkrimit në të, të gjitha punësimet janë kryer në kohën kur BQK-në e udhëheq guvernatori Mehmeti.