Një person që nuk e ka identifikuar veten, e ka dërguar një letër të gjatë në Agjencinë Kundër Korrupsion me pretendime për korrupsion në Bankën Qendrore të Kosovës. Në letër theksohet se guvernatori Fehmi Mehmeti ka punësuar mbi 70 veta në BQK, të lidhur politikisht me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën. Guvernatori i ka hedhur poshtë dyshimet. Por, Agjencia Kundër Korrupsion ka konfirmuar që tashme kanë filluar hetimet mbi pretendimet e listuara në letër.
Në 11 faqe janë përmbledhur 9 lloj shkeljesh që një sinjalizues anonim pretendon se në katër vjetët e fundit i ka kryer guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.
Këtë letër të cilën e ka dërguar te drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, e të cilën nëpërmjet emailit ua ka përcjellë edhe mediave, deputetëve e përfaqësuesit ndërkombëtar, sinjalizuesi e ka nisur me pretendimet mbi punësimet.
“Gjatë kësaj periudhe kohore kur Fehmi Mehmeti ka menaxhuar me BQK-në ka punësuar mbi 70 veta personel të lidhur politikisht me partitë në pushtet (PDK-LDK-AAK-Nisma). Gjithsej nga këta 70 veta, 30 fillimisht kanë filluar punën me kontratat mbi vepër pastaj iu është shpallur konkursi i rregullt dhe janë pranuar me kontrata të rregullta pune”, thuhet në letër.
Si të punësuar, ka përmendur familjarë të politikanëve e të disa pronarëve të mediave.
Për 2 vjet sinjalizuesi anonim pretendon që ka pasur abuzim me tenderë e ndërhyrje në shitblerjen e aksioneve të institucioneve financiare. Aty ka theksuar se guvernatori dhe zëvendës-guvernatori kanë bërë edhe ndërhyrje të kundërligjshme në proceset e licencimit të institucioneve financiare.
Sinjalizuesi e ka kontestuar edhe doktoratën e guvernatorit Mehmeti.
“Fehmi Mehmeti me ndihmën e Sami Mazrekut, gjithashtu përfiton edhe diplomë të doktoratës të blerë nga Universiteti për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative ne Bullgari (www.unibit.bg ) që ka program të doktoratës vetëm trevjeçar. Por, për Fehmi Mehmetin nuk vlen ky kriter. Ai e regjistron doktoratën në Bullgari në vitin 2017 dhe çuditërisht e përfundon në vitin 2018 për një periudhë kohore njëvjeçare. Kriteri ligjor është tre vjet për kryerjen e doktoratës dhe gjuha e kryerjes është bullgare, ruse apo angleze. Mehmeti nuk e njeh asnjërën prej këtyre gjuhëve. Të gjitha këto kritere janë publike në webfaqen e këtij universiteti”, thuhet në letër.
Mehmeti në një intervistë për emisionin “60 minuta” në KTV i ka mohuar të gjitha pretendimet e listuara në letër.
“Vetë fakti që është letër anonime është e pasaktë. Rastet e tilla, letrat anonime kemi në baza të rregullta. Derisa nuk ka emër e mbiemër nuk merremi. Për ato që janë përmendur në letër që janë të pavërteta janë interesa të një grupi të individëve, personave të caktuar që kanë synim për ta dëmtuar reputacionin e BQK-së për interesa personale e që nuk arrihet sepse si guvernator jam i obliguar ta mbrojë autoritetin ligjor dhe kushtetues”, ka deklaruar Mehmeti.
Drejtori i Antikorrupsionit, Yll Buleshkaj, ia ka konfirmuar KOHËS pranimin e letrës së sinjalizuesit dhe ka thënë se menjëherë ka filluar procesi i mbledhjes së informatave për pretendimet e shprehura aty. Sipas Buleshkajt, hetimi mbi pretendimet e shprehura në letër nuk është përgjegjësi vetëm e Agjencisë Kundër Korrupsion, por edhe e institucioneve të hetuesisë.
Fehmi Mehmeti është guvernator i BQK-së që nga marsi i vitit 2018. Ai është zgjedhur në Kuvend, gjatë kohës kur shumicë parlamentare ishte koalicioni PDK-AAK-Nisma e kryeministër Ramush Haradinaj.