LAJMET E MBRËMJES

Maqedonci: Letra drejtuar KFOR-it sqarim për ta, jo rizotim për mosdërgimin e FSK-së në veri

Qeveria nuk ka bërë zotim të ri për mosdërgimin e Forcës së Sigurisë në veri të Kosovës, ka thënë të enjten ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Në një përgjigje për KOHËN, Maqedonci ka thënë se letrën që ia ka dërguar së fundmi komandantit të KFOR-it ka qenë sqarim i angazhimit të njësisë së FSK-së në njërën nga komunat e banuara kryesisht me serbë e jo rizotim mbi letrën e dërguar nga ish-kryeministri Thaçi, 12 vjet më parë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mohuar se Qeveria është rizotuar për mosdërgimin e Forcës së Sigurisë në komunat në veri të Kosovës.

Maqedonci ka theksuar se do të respektojnë zotimin e bërë 12 vjet më parë, ndonëse e konsiderojnë të gabuar.

Ministri Maqedonci ka thënë se në letrën që i ka dërguar komandantit të KFOR-it kanë sqaruar se angazhimi i njësisë së FSK-së në njërën nga katër komunat e banuara kryesisht me serbë, nuk ka pasur qëllim tensionimin e situatës.

Në përgjigjen e ministrit kanë munguar hollësitë.

“Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK-së në operacione në veri pas koordinimit paraprak me komandantin e KFOR-it”, tha Maqedonci. 

Sipas Maqedoncit, letra e vitit 2013 e dërguar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi nuk përkon me nivelin që ai përfaqëson. 

“Pra, çështjet përmbajtjesore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të komandantit të KFOR-it është që ta sigurojmë njëri-tjetrin që do t’i bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar. Pra, nuk bëhet fjalë për rizotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel kryeministri dhe sekretari të përgjithshëm të NATO-s. Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish-kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”, tha ai. 

Por, Arben Dashevci, ekspert i sigurisë, vlerëson se i ka ardhur koha rishqyrtimit të letrës së ish-kryeministrit Thaçi.

“Duhet të rishqyrtohet gjithsesi, por duhet të rishqyrtohet me misionin e NATO-s në Kosovë ose direkt me NATO-n. Vetëm koordinimi me ta na çon atje ku po duam ne, në NATO dhe askund tjetër”, tha Dashevci. 

Në lidhje me letrën në fjalë e pretendimet e ministrit Maqedonci që ajo ka qenë sqaruese e jo rizotim për mosdërgimin e FSK-së në veri, pyetjeve të KOHËS, të enjten, nuk u janë përgjigjur në KFOR.