Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: Reduktimi i trupave të KFOR-it në Ibër s’paraqet kërcënim për serbët

Ura e Ibrit

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur reduktimin e pranisë së trupave të KFOR-it në urën mbi Ibër si kërcënim për serbët, nuk përputhet me realitetin.

Në Facebook, Maqedonci ka theksuar sërish se vendimi i KFOR-it për optimizim të pranisë në urë, është reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

“Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës. Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona. Në këtë kontekst, përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren. Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”, ka shkruar Maqedonci të premten në Facebook.

Sipas tij, bëhet fjalë për një narrativë që synon të zhvendosë vëmendjen nga gjetjet lidhur me varrezat masive në Kalludër dhe zbulimin e arsenalit të armëve në veri.

“Kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të rëndësishme. Ajo i shërben edhe zhvendosjes së vëmendjes nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi: gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimi i armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve tona kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive kundër Republikës së Kosovës”, ka shtuar Maqedonci.

Edhe Nga pushimi mjekësor te rikthimi në punë: si i mbrojnë vendet evropiane pacientët me kancer? Arbëri Nga pushimi mjekësor te rikthimi në punë: si i mbrojnë vendet evropiane pacientët me kancer?

Maqedonci ka thënë se Kosova nuk është burim i destabilitetit. Ai ka kujtuar se siguria dhe stabiliteti ndërtohen mbi fakte dhe jo dezinformim e narrativa të frikës.

Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.