Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Lushtaku kërkon nga Kurti ta tërheqë deklaratën brenda 24 orësh

Sami Lushtaku

Dy deklarata të Albin Kurtit të dhëna në një intervistë për Kohën, kanë nxitur reagime. Për njërën, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka kërkuar nga Kurti ta tërheq brenda 24 orësh. E për tjetrën, Prokuroria Speciale e ka marrë në mbrojtje kryeprokurorin Blerim Isufaj

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku i ka kërkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti ta tërheqë akuzën e tij të dhënë në emisionin “Interaktiv” në KTV, se ka dashur ta godasë me veturë zyrtare eskortën e kryeministrit.

Avokati i Lushtakut, Labinot Vata, ka thënë se në kërkesën për tërheqje të deklaratës është theksuar se ajo është tendencioze, e rënda dhe shpifëse.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Përmes këtyre deklarimeve, Ju keni atribuar publikisht ndaj z. Sami Lushtaku sjellje të rrezikshme, të dhunshme dhe potencialisht kundërligjore, pa ekzistuar ndonjë vendim gjyqësor, akt përfundimtar institucional apo provë juridikisht e konfirmuar që do të mbështeste pretendime të tilla. Këto deklarime bëhen edhe më të rënda për faktin se janë dhënë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, në një medium kombëtar me shikueshmëri të gjerë, çka u jep atyre peshë të veçantë institucionale dhe ndikim të madh publik”, thuhet në kërkesën e Lushtakut për Kurtin.

Në letër kërkohet që kryeministri në detyrë Albin Kurti të publikojë përmirësimin dhe të japë sqarim publik lidhur me deklarimet e tij të bëra ndaj Sami Lushtakut. Është kërkuar që këto të bëhen brenda 24 orëve.

Paralajmërimi është bërë pasi Kurti ka thënë se Lushtaku me veturë zyrtare ka dashur ta godasë eskortën e tij gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet e shkurtit 2025.

“Aty kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja ime e afërt. A mendoni se ka pasur diçka me dikë prej truprojave të mija, vetëm atëherë do të mund të themi se s’e ka pasur me mua. Më pastaj ka proces policor për këtë por nuk është arrestuar për këtë ndonëse ka pasur tentim për të shkaktuar rrezik”, ka thënë Kurti të hënën mbrëma.

Si Kurti, edhe Lushtaku ka thënë se ekziston raport zyrtar policor për këtë rast.

KOHA ka kërkuar informacione në Polici lidhur me këtë rast, por ka munguar përgjigjja.

E, autoritetet kanë dhënë përgjigje për një tjetër akuzë të Kurtit.

Gjatë intervistës ai ka thënë se kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, është fajtor për gjendjen në prokurori. Prokuroria e ka quajtur këtë deklaratë me karakter politik dhe të pambështetur në fakte.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rithekson përkushtimin ndaj ushtrimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm të mandatit të saj, në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik. Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z. Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale. PSRK-ja vlerëson se besueshmëria, integriteti institucional dhe profesional ndërtohen mbi punën, transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit, e jo mbi deklarata politike”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Isufaj ishte propozuar nga Këshilli Prokuroria për kryeprokuror të shtetit, por nuk është dekretuar nga tashmë ish-presidentja Vjosa Osmani. Ky këshill tek të hënën ka shpallur konkurs për kryeprokuror, meqë për vite ka refuzuar ta japë një propozim tjetër.