Për blerjen me marrëveshje të dëmshme dhe të shtrenjtë të rrymës, si dhe për mosriparime të qëllimshme në Korporatën Energjetike (KEK), përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) kanë kritikuar të enjten Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Tek i ka numëruar akuzat ndaj Kurtit në një konferencë për media, Visar Azemi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka kujtuar deklaratat e tij nga periudha sa ishte në opozitë, kur e pati kualifikuar si të padrejtë që “qytetarët të cilët flenë mbi qymyr, e paguajnë rrymën shtrenjtë”.
“I njëjti nën petkun e pushtetarit pastaj thoshte se çmimi i energjisë elektrike është shumë i lirë e qytetarët nuk po e dinë se sa harxhojnë. Një mashtrues tipik, një mashtrues klasik do t’i thoshte kryeministrit të sotëm, Albin Kurti, opozitar i dikurshëm nëse do të takoheshin”, ka thënë Azemi.
Ai e ka mbajtur Qeverinë fajtore për rritjen e madhe të çmimit të rrymës.
“Teksa çmimi i rrymës u ngrit dy herë dhe mafisë energjetike me njerëz të Kurtit, si Martinit e Nagipit, iu rritën shifrat e të hyrave nëpër xhirollogaritë bankare. Kjo qeverisje s’i ka rritur për tre vjet kapacitetet e gjenerimit të energjisë elektrike në vend. Në një moment kur Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli me projektin amerikan të gazit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan këtë projekt duke u arsyetuar se çmimi dhe kostoja e lartë... se mund të bënin investime të tjera me risk tjetër e me kosto më të ulët”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së.
Sipas Azemit, qeverisja aktuale nuk ka “kapacitet dhe aftësi për të bërë më mirë, sepse janë një grupacion i papërvojë që nuk kanë njohuri as për energji e as për diçka tjetër”.
Ai ka deklaruar se LDK-ja është e vetmja parti në Kosovë që ka program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë dhe për t’iu shmangur krizave energjetike.
“Siç e kemi thënë edhe në programin tonë “Rruga e Re”, e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavatësh. Gazimifikimin e Kosovës me gazin amerikan që do të vijë nga Shkupi e do të shkojë deri në Mitrovicë, rehabilitimi i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtrishme, ulja e TVSH-së në zero për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Azemi.
Në fund, Azemi e ka ftuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në debat televiziv për të diskutuar për energjinë.