LAJMET E MBRËMJES

Kurti thotë se VV-ja është rritur, kërkon hetim për sondazhet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, rezultatin zgjedhor të së dielës e ka quajtur dhuratë të qytetarëve për partinë në 20-vjetorin e themelimit të saj. Kurti është shpreh optimist për fitore në raundin e parë edhe në Gjilan pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë. Për garën në Mitrovicë ai ka thënë se pati ndërhyrje dhe kërkoi të hetohen ata që prezantuan matje të rrejshme pak pas hapjes së qendrave të votimit për të krijuar bindje tjetër te qytetarët

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Shtime e Kamenicë dhe rezultati preliminar që konfirmon balotazhin e kandidatëve të saj në 12 komuna të tjera, ka bërë që Albin Kurti ta vlerësojë pozitive performansën e subjektit që ai drejton. Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, ka thënë të hënën në konferencë për media se partia që udhëheq është ngritur si forca më e madhe edhe në nivelin lokal. 
“Këto rezultate tregojnë qartë se Lëvizja jonë, jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në Republikën e Kosovës edhe në nivelin lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme, urimi më i mirë që e kemi marrë nga populli i Kosovës në këtë 20-vjetor të Lëvizjes Vetëvendosje sivjet”, ka theksuar ai.

Nga selia e partisë së tij, Kurti është shprehur optimist se Vetëvendosje do të fitojë edhe në Gjilan pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë. Mes tjerash ai ka komentuar edhe garën për Mitrovicën e Jugut, ku kandidati i LVV-së dhe ai PDK-së, dolën të votuar me afro 30 vota dallim.

Sipas Kurtit, për garën në këtë komunë pati dallavere me sondazhe që e favorizonin PDK-në e që u publikuan në media që në mëngjes. Kërkoi që kryerësit e këtyre matjeve të hetohen. 

“Sa i përket Mitrovicës, prej orës 10:00 është propaganduar maksimalisht se si në komunën jugore të Mitrovicës po fiton kandidati i PDK-së pa balotazh dhe madje me fitore të thellë. Minimalisht për 16 pikë të përqindjes ka pasur huqje. Por këto huqje kanë qenë të njëjta nga disa burime dhe në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se ka diçka unike, sipër tyre, por u përket organeve të drejtësisë dhe sigurisë që ta hetojnë dhe hulumtojnë këtë cenim të integritetit të shtetit, të sigurisë së shtetit përveçse votës së lirë të qytetarëve dhe të zgjedhjeve demokratike”, ka deklaruar Kurti. 

Entuziazëm për të fituar, LVV-ja ka shfaq edhe për Prishtinën. Kandidati i këtij subjekti Hajrullah Çeku në raundin e dytë do ta ketë përballë për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën. Ndryshe nga gara për kryetar, ku Ceku doli i dyti, në garën për asamble komunale, LVV-ja ka dalë si forcë e tretë e ishte e para në zgjedhjet e 20221-tës. Kurti dha një shpjegim pse mund të ketë ndodhur kjo rënie.

“Ne jemi përplot vetëbesim kur themi që rezultati është shumë i mirë... Kurrë nuk ka qenë Kuvendi Komunal i Prishtinës kaq i diversifikuar sikurse që do të jetë nga kjo vjeshtë e në vijim, por mbase ajo që mund të ketë ndikuar është pasi që me partnerët tanë, partinë GUXO dhe partinë Alternativa, në kryeqytet kemi garuar ndaras dhe ka mundësi që ky garim ndaras ka pasur çmim të këtillë”, ka arsyetuar Kurti.

Kryeministri në detyrë është mandatuar të shtunën nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë së re. Ai ka treguar se qysh këtë javë do të nisin negociatat me partnerët e mundshëm për kabinetin e ri.