Një ditë pasi emisari Miroslav Lajçak tha se është arritur mirëkuptimi për nevojën që të ecet përpara me trepikëshin e BE-së, kryeministri Albin Kurti ka shprehur mospajtimin me hapat që i kërkohen për shtensionimin e situatës në veri. Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme duhet t’i paraprijnë largimit të kryetarëve të rinj nga ndërtesat e komunave dhe jo anasjelltas, siç kërkon Brukseli.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në masë të konsiderueshme janë adresuar kërkesat e Bashkimit Evropianë që kanë të bëjnë me situatën në veri.
Por, duke iu referuar diskutimeve të një dite më parë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme duhet t’i paraprijnë largimit të kryetarëve të rinj nga ndërtesat e komunave dhe jo anasjelltas, siç kërkon Brukseli.
“Pra, për zgjedhjet e parakohshme dakord, por duhet përgatitje të tjera për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq. Kjo bëhet me zgjedhje. Pika e parë e kryen edhe të dytën. Ndërsa sa i përket pikës së tretë, policia jonë është në ndërtesë, sepse ju e dini çfarë gjetëm në Zveçan – arsenal për luftë…”, ka deklaruar Kurti.
BE-ja kërkoi nga Kosova që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri, që katër kryetarët e komunave të zhvendosen në objekte alternative dhe që të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Kryeministri tha se duhet përmbushur disa parakushte para shpalljes së zgjedhjeve.
“Shumë kollaj është të themi për zgjedhje të parakohshme.. mirëpo, në anën tjetër, nëse nuk ke asnjë gram garanci që zgjedhjet e ardhshme të parakohshme nuk përsëritet 23 prilli duhet të mendojmë e rimendojmë në përgatitjen ma shumë e ma mirë”, ka shtuar ai.
Kryeministri ka thënë se të martën me Lajçakun ka biseduar edhe për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve, diskutimet për të cilat do të vazhdohen nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Por, është shprehur kritik edhe për këtë proces.
“Pra, nuk mund të kemi as marrëveshje, as zbatim të saj e marrëveshjen e kemi duke u bazuar në vlerat evropiane, e tillë duhet të jetë edhe zbatimi, me çfarëdo ideje të kujtdo qoftë të gjetjes së mesit aritmetikor ndërmjet pozicioneve të dyja palëve”, është shprehur i pari i Qeverisë.
Kryeministri Kurti nuk është pajtuar me ndërkombëtarët lidhur me ecurinë e veprimeve që duhet ndërmarrë drejt shtensionimit të situatës.
Derisa BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar tërheqjen e policisë dhe të kryetarëve të rinj nga objektet komunale, ai insiston se fillimisht duhet të vendoset sundimi i ligjit në veri para se të largohet policia, ndërsa të mbahen zgjedhjet para largimit të kryetarëve.